Përgatitja për festën e Pashkëve- Besimtarët katolikë hyjnë sot në Javën e Shenjtë
Besimtarët katolikë kanë hyrë sot në Javën e Shenjtë, javën më të rëndësishme të vitit liturgjik, që përgatit festën e madhe të Pashkëve.
Këtë të diel, në qytetin e Lezhës u kremtua e Diela e Larit (Dita e Palmave), atë të ringjalljes së Krishtit.
Dhjetëra besimtarë u mblodhën në Katedralen e Shën Nikollit, ku u zhvillua procesioni solemn i bekimit të larit dhe degëve të ullirit.
Procesionin e udhëhoqi Imzot Otavio Vitale, Ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës. Gjatë meshës, besimtarët u ftuan të imitojnë shembullin e Jezusit duke hyrë bashkë me misterin e vuajtjes, vdekjes dhe ringjalljes.
Tre momentet kryesore të kremtimit të kësaj dite ishin: Procesioni me palma dhe degë ulliri; Bekimi i tyre para fillimit të meshës; Kujtimi i Mundimeve të Zotit gjatë Liturgjisë së Fjalës.
Simbolika e kësaj dite shënon fillimin zyrtar të Javës së Shenjtë, e cila kulmon të Shtunën e Madhe në mesnatë me Vigjiljen e Pashkëve dhe festën e Ringjalljes së Krishtit të dielën, më 4 prill.
Kisha Katolike në të gjithë botën e kremton këtë ditë me të njëjtin solemnitet, duke i ftuar besimtarët të hyjnë me mendje dhe zemër të pastër në javën që përkujton ngjarjet shpëtimtare të shpëtimit njerëzor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




