Përgatitjet për 11 Majin – Në Kukës mbërrijnë dhomat e fshehta, kamerat dhe aparaturat e skanimit të votave
Në Kukës kanë mbërritur materialet zgjedhore pranë Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve, të cilat më pas do të shpërndahen në 73 qendrat e votimit të Bashkisë Kukës.
Kryetari i KZAZ Kukës, Uran Cengu, shprehet se pjesa më e madhe e materialeve kanë ardhur dhe në ditët në vijim priten edhe fletët me kutitë e votimit.
“Janë dorëzuar nga KQZ-ja materialet zgjedhore, si dhomat e fshehta, kamerat e qendrave të votimit. Janë 73 qendra votimi dhe nga këto janë të gjitha të dorëzuara me kamera e rekordera filmikë, edhe materialet e skanimit të GNV-ve,” tregon z. Cengu.
Këtë vit është një qendër votimi më pak, nga 74 qendra votimi në 73, për shkak të rënies së numrit të votuesve. Ndërkohë nuk janë shfaqur probleme me listat e zgjedhësve.
“Në qendrën e votimit Kalisht ka rënë numri i votuesve nën 300, kështu që ajo qendër është shkrirë, duke ngelur në 73 qendra votimi. Nuk kemi pasur ndonjë ankesë nga qytetarët për probleme me listat,” thotë kryetari i KZAZ-së Kukës.
Për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, në Bashkinë Kukës janë të regjistruar gjithsej 44.535 zgjedhës në listën përfundimtare të votuesve.
Gazetare: Irda Bajraktari
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




