Përkujtohen viktimat e komunizmit, shfaqet dokumentari “Ana tjetër e Valiasit” dhe dëshmia e ish-të përndjekurit Fezollari

Aktualitet | 1 vit më parë

“Kujtesa shëron plagët e së shkuarës dhe hap rrugën për një të ardhme demokratike.” Me këtë mesazh, Autoriteti i Dosjeve përkujtuan viktimat e regjimit totalitar.

Dokumentari “Ana tjetër e Valiasit” dhe dëshmia e ish-të përndjekurit Ethem Fezollari rikthyen vuajtjet e grave, fëmijëve dhe familjeve të ndëshkuara gjatë regjimit.

Ky dokumentar do të transmetohet i plotë në RTSH 1, ditën e shtunë (23 gusht) në orën 21:30.

“Unë jam dëshmitar okular, që kam vuajtur tre vjet e gjysmë në Kampin e Valiasit dhe në Kodër-Kamëz. Kam qenë në moshën rreth 6 vjeç dhe i mbaj mend shumë mirë ngjarjet. Vetëm njerëzit s’mund të jetonin, por ne mbijetuam falë Zotit, se atje s’kishte shtet. Atje vinin gratë shtatzëna. Atje vinin gra me fëmijë njëmuajsh, dymuajsh deri në 1 vjeç. Unë di njerëz, disa familje, fëmijët e të cilëve i merrnin me forcë, i shkëpusnin nga nëna dhe i zhduknin,” u shpreh z. Fezollari.

Drejtoresha e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Mara Sula, duke kujtuar kalvarin e vuajtjeve të viktimave, nënvizoi rëndësinë e kujtesës.

“Dokumentet tregojnë që në vitin 1950 ky kamp arriti kulmin me 820 të internuar, prej të cilëve një në dy ishin fëmijë ose foshnjë. Megjithëse kapnin numrin e një shkolle, nuk patën mundësi që të shkojnë në shkollë. U rritën mes urisë, sëmundjeve dhe frikës. Një në tre ishte gra dhe një në pesë ishin burra. Rrjeti Europian i Kujtesës këtë vit ka moton plagët mund të shërohen. Edhe ne si Autoritet besojmë që përmes kujtesës, një përkujtimi të shëndetshëm, mundet të shërojmë plagët,”  tha znj. Sula.

Sipas Autoritetit të Dosjeve në Shqipëri mbi 6.000 persona u ekzekutuan gjatë regjimit komunist, me ose pa urdhër të gjykatës.

Pjesës më të madhe të tyre ende nuk u dihet vendvarrimi, ndërsa mijëra të tjerë u burgosën dhe u internuan në burgjet politike dhe kampet e punës.

Gazetare: Jonida Omeri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme