Përmbytjet në Hasturkas të Libofshës, Balluku inspekton nga afër situatën

Zv.kryeministrja Belinda Balluku, e shoqëruar nga Prefekti i Qarkut Fier, Anduel Xhindi, ka inspektuar nga afër situatën e rënduar nga përmbytjet në fshatin Hasturkas, në Libofshë. Pas çarjes së argjinaturës nga prurjet e shumta të ujërave, janë përmbytur 20 banesa dhe toka bujqësore në këtë zonë.
Balluku tha se lumi Seman është tërhequr në shtratin e tij dhe se situata aktualisht është e stabilizuar.
“Evakuimi i të gjithë banorëve të zonës është realizuar plotësisht, dhe deri tani janë prekur rreth 20 banesa nga prania e ujit. Pjesë e operacionit ka qenë edhe shpëtimi i dy barinjve të zonës, të cilët janë gjetur dhe janë të sigurt”, u shpreh Balluku.
Ajo shtoi se situata është menaxhuar me profesionalizëm nga struktura të emergjencave civile, forcat e armatosura dhe të gjitha strukturat në terren
“Secili është në krye të detyrës dhe po punon për mbrojtjen e jetëve të qytetarëve”, tha Balluku.
Balluku gjithashtu njoftoi se janë marrë masa për të menaxhuar situatën në kaskadën e Devollit, me qëllim minimizimin e përmbytjeve dhe për të parandaluar pasojat më të rënda. Ajo theksoi se do të punohet për vlerësimin e dëmeve dhe për të krijuar një plan për rindërtimin e zonave të prekura.
Ditën e djeshme, lumi Seman çau argjinaturën në disa segmente, veçanërisht në afërsi të fshatrave Ndërnënas dhe Hasturkas. Si pasojë, uji ka përmbytur tokat bujqësore dhe disa banesa. Forcat e ushtrisë kanë ndihmuar në shpëtimin e 220 deleve nga zona e përmbytur, ndërkohë që më herët janë nxjerrë nga dy stalla 200 qengja.
Në terren janë të pranishme strukturat e emergjencave dhe autoritetet lokale që po monitorojnë situatën në kohë reale dhe po ndërmarrin masa për të minimizuar dëmet dhe për të siguruar mbështetje për banorët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




