Dështon përpjekja e fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Kosovë | 1 vit më parë

Ka dështuar edhe seanca e fundit e caktuar për funksionalizimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, duke shënuar kështu përfundimin e një sage parlamentare që zgjati mbi tre muaj dhe përfshiu gjithsej 54 tentativa.

Pas orës 00:00 të kësaj dite, deputetët e zgjedhur nuk do të kenë më mundësi të ndërmarrin asnjë veprim lidhur me këtë çështje, bazuar në masën e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, e cila hyn në fuqi dhe i ndalon çdo veprim deri më 8 gusht.

Ky dështim për të konstituuar dhe funksionalizuar Kuvendin, pas një periudhe të gjatë bllokimi dhe përpjekjesh të shumta, lë legjislaturën e nëntë në një gjendje ngecjeje, duke ndikuar potencialisht në proceset vendimmarrëse dhe miratimin e ligjeve të rëndësishme. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese thekson rëndësinë e respektimit të afateve ligjore dhe sjell pasoja konkrete për veprimtarinë parlamentare në ditët në vijim.

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, konfirmoi se ka zhvilluar një takim, pas seancës së orës 14:00, me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Por, ai tha se gjatë këtij takimi nuk pati asnjë diskutim përtej asaj që është thënë në publik më parë.

“Fatkeqësisht nuk ka marrëveshje”, tha ai, para se të hyjë brenda ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Edhe Armend Zemaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se nuk ka shpresa që as në seancën e orës 22:00 mund të bëhet konsituimi i Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve, ka të drejtën e propozimit të kandidatit për kryeparlamentar, por e zgjedhura e kësaj partie, Albulena Haxhiu, nuk pranohet nga disa grupe politike.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e shohin atë si figurë përçarëse, teksa Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se s’ka votë për asnjë kandidat të LVV-së.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme