Përplasje në Komisionin e Jashtëm, Sara Mila i drejtohet deputetëve të opozitës: “Pseudopatriotë, votuat kundër Shqipërisë në BE”. Haxhinasto: Tërhiqe mbrapsht, deklarata juaj sterile!

Debati në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme nisi me diskutimet për deklaratat e ministres së Jashtme të Serbisë dhe qëndrimin e diplomacisë shqiptare, ku pati replika mes mazhorancës dhe opozitës. Përplasja vijoi mes deputetes së PS, Sara Mila, dhe Edmond Haxhinastos për qëndrimin ndaj integrimit europian dhe votën në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE në Strasburg. Mila deklaroi se mbështetja për Europën duhet të shprehet me qëndrime konkrete, jo vetëm me deklarata. “Do të isha shumë e dëshiruar të kisha dëgjuar, jo vetëm dëgjuar, por ta kisha parë të ndodhte një deklaratë të përbashkët, jo për të shkuarën, por për të ardhmen tashmë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, që të mund të ishte votuar nga kolegët e opozitës atje në zemër të BE-së dhe jo të votohej kundër”, tha Mila. Sipas deputetes socialiste, opozita ka mbajtur një qëndrim kontradiktor duke kërkuar konsensus për Europën, ndërsa sipas saj ka votuar kundër një dokumenti që lidhet me të ardhmen europiane të Shqipërisë. “Është votuar kundër nga kolegët e opozitës pikërisht në një moment kur sytë e Shqipërisë janë drejt së ardhmes dhe sot vjen këtu dhe nga të njëjtët kolegë bëhet një pseudopatriotizëm për ndodhi të së shkuarës, për të cilat janë dënuar disa herë zyrtarisht, por edhe personalisht. Nëse do të mbajmë të njëjtin standard për Shqipërinë dhe shqiptarët, ju ftoj të kërkoni ndjesë për faktin që nuk keni votuar në mbledhjen e kaluar në Strasburg për Shqipërinë dhe shqiptarët, për hyrjen e tyre në BE”, u shpreh Mila.
Pas deklaratës së saj, Edmond Haxhinasto kërkoi që deputetja të tërhiqte termin “pseudopatriotizëm”, duke kundërshtuar etiketime të tilla në diskutimin parlamentar.
“Kolegia Mila, pseudopatriotizëm duhet ta marrë mbrapsht. Nuk ka marrë informacionin e duhur për atë që ka ndodhur në komitetin e stabilizim-asociimit ku amendime të cilat janë kërkuar nga opozita, që kanë qenë në një frymë. Ishin shumë të qarta, me një gjuhë që është përdorur në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit, është përdorur në rezolutat e Parlamentit, në dokumente zyrtare të institucioneve më prestigjioze që ndjekin çështje të caktuara si çështja e zgjedhjeve OSBE-ODIHR, të cilat amendime të opozitës janë miratuar nga Parlamenti Europian dhe janë hedhur poshtë nga kolegët socialistë dhe në këto rrethana pjesa opozitare e delegacionit nuk mund të pranonte një deklaratë që ishte sterile dhe paraqiste një realitet krejt tjetër nga ai që njohim, realiteti që ju njihni. Opozita mbështet shumë fuqishëm procesi ne integrimit, por mbi bazën e meritës, e mbështet atë mbi bazën e një njohje të vërtetë të realitetit dhe detyrave që duhet për të realizuar standardet e BE-së”, tha Haxhinasto.
Në replikë, Mila këmbënguli në qëndrimin e saj, duke iu referuar votimit në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE.
“Do të doja që të paktën ai gjithashtu, një djalë i ri që u bë pjesë e politikës, të mos na kujtojë eksperiencën dhe moshën në këtë tryezë, sepse nuk është mosha ajo që e definon atë karrige këtu. Ajo që dua t’ju sqaroj edhe njëherë, edhe për publikun, është se në mbledhjen e 21-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, të zhvilluar në Strasburg më 8 dhe 9 korrik, deputetët e PS-së së bashku me eurodeputetët anëtarë të këtij komiteti votuan pro tekstit final për Shqipërinë në BE, ndërkohë që deputetët e PD-së votuan kundër tekstit final”, deklaroi Mila.
Ajo shtoi se dokumenti përfundimtar është ai që përcakton qëndrimin politik dhe jo debatet gjatë procesit.
“Ky dokument final për Shqipërinë në BE ju e votuat kundër dhe ky është një akt i pseudopatriotizmit, në momentin që kërkoni një deklaratë të përbashkët. Bëjeni njëherë vetë atdhetarizmin në letër, jo vetëm në fjalë, duke shkuar dhe votuar pro së ardhmes së Shqipërisë dhe më pas ejani e na kërkoni pse nuk bëjmë një deklaratë të përbashkët”, u shpreh Sara Mila.
Debati në Komision vijoi me replika të forta mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa në qendër të diskutimit mbeti roli i politikës shqiptare në procesin e integrimit europian dhe qëndrimi që duhet mbajtur përballë partnerëve ndërkombëtarë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




