Përshkallëzohet tensioni në Detin e Kuq, sulmohet anija tregtare, katër të vdekur pranë ngushticës Bab el-Mandeb

Situata e sigurisë detare në Lindjen e Mesme është përkeqësuar ndjeshëm pas dy incidenteve të rënda të regjistruara në orët e fundit në Detin e Kuq dhe në ujërat pranë Iranit.
Qeveria pro-saudite e Jemenit ka akuzuar zyrtarisht lëvizjen e rebelëve shiitë Huthi për kryerjen e një sulmi vdekjeprurës kundër një anijeje tregtare me flamur liberian. Ngjarja ka ndodhur në ujerat e Detit të Kuq, pranë ngushticës strategjike Bab el-Mandeb. Sipas autoriteteve jemenase, nga goditja me predha kanë mbetur të vdekur katër pjesëtarë të ekuipazhit — tre shtetas pakistanezë dhe një indonezian.
Anija tregtare u mor në mbrojtje nga një njësi e marinës ushtarake jemenase, e cila më pas ra vetë pre e të shtënat me armë zjarri, ku mbeti i plagosur një ushtar. Nëse përgjegjësia e Huthëve konfirmohet nga hetimet ndërkombëtare, këto do të shënonin viktimat e para njerëzore nga sulmet e rebelëve në këtë ngushticë strategjike lundrimi.
Tensionet në rajon janë rindezur pas përfundimit të armëpushimit shumëvjeçar në Jemen, një pasojë direkte e zhvillimeve të fundit ushtarake dhe sulmeve ajrore të kryera nga SHBA-ja dhe Izraeli ndaj objektivave në Iran.
Të shtëna ushtarake gjatë bllokadës detare pranë Iranit
Paralelisht me incidentin në Detin e Kuq, forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara kanë hapur zjarr ndaj një anijeje tregtare me flamur panamez në ujërat pranë Iranit.
Sipas një zyrtari amerikan i cili citohet nga mediat ndërkombëtare, anija u përpoq të thyente bllokadën detare të vendosur nga Uashingtoni ndaj porteve iraniane. Pasi ekuipazhi injoroi paralajmërimet e përsëritura, një helikopter ushtarak amerikan qëlloi në drejtim të timonit të anijes për të pamundësuar lëvizjen e saj. Nga ky incident nuk u raportua për viktima apo të plagosur.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




