Peshkimi në lumin Devoll – Banorët e zonës së Maliqit peshkojnë jo vetëm për argëtim

Sociale | 3 vite më parë

Lumi i Devollit është një aset i çmuar për banorët e zonës së Maliqit. Duke qenë se jemi zyrtarisht në sezonin e pranverës çdo ditë përgjatë lumit shohim peshkatarë të cilët peshkojnë me grep. Përveç ushqimit të mirë dhe të freskët, banorët e Maliqit e shohin si mënyrën më të mirë për të kaluar kohën e lirë. Esat Marjanaku thotë se peshkon pranë këtij lumi që në fëmijërinë e tij. Ai ka plot 50 vite me grep në dorë dhe është ndër peshkatarët me të vjetër të zonës.

“Atëherë kishte peshk më shumë, kishte ngjala, kurse tani është shteruar. Është një zanat që kalon kohën shumë mirë, nuk mërzitesh është një argëtim me vete”, tha Esat Marjanaku.

Mrena është peshku më i preferuar në lumin Devoll dhe ndoshta me shijen më të mirë. Quhet peshku luftarak i lumenjve dhe është shumë i ndjeshëm ndaj temperaturave të ftohta. Pasi uji fillon ftohet ky peshk menjëherë futet në baltë apo qoshe të nxehta dhe nuk del derisa të nxehet uji. Kjo për peshkatarët vështirëson kapjen e tij me grep. Ndër peshqit e preferuar përveç Mrenës janë dhe Krapi i Kuq, Kleni e Karasi. Për Agimin Lipollarin ky profesion i lirë është kënaqësi e veçantë, peshkimi me grep për të eshte qetësi dhe argëtim.

“Unë kam 50 vjet që gjuaj për peshk, u bëj apel të gjithë qytetarëve mos e ndotni lumin”, thotë një tjetër peshkatar, Agim Lipollari.

Përveçse një profesion i lire dhe argëtues, peshkimi ka qenë një profesion jetik në qytetin e Maliqit, pasuri për kulinarinë dhe njëkohësisht atraksion në sektorin e turizmit.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme