Planet për ndërtimet në Zvërnec, protesta hyn në ditën e 11-të. Qytetarët kërkojnë anulimin e investimit

Aktualitet | 5 muaj më parë

Protesta e qytetarëve ka hyrë në ditën e njëmbëdhjetë të saj. Protestuesit kanë marshuar përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet duke u vendosur para godinës së Kryeministrisë për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit të zhvillimit në zonën e Zvërnecit.

Gjithashtu, protestuesit kanë shprehur edhe një herë kërkesën e tyre për dorëhqjen e kryeministrit Edi Rama, e cila është midis kërkesave të tjera të parashtruara prej tyre.

Protestuesit paraqesin pesë kërkesa, të cilat i konsiderojnë si të panegociueshme:

Dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama

Krijimi i një Qeverie Teknike

Shfuqizimi i Ligjit për Zonat e Mbrojtura

Shfuqizimi i Ligjit për Investimet Strategjike

Anulimi i “Paketës së Maleve”

Protestuesit nisën marshimin e tyre fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas u drejtuan drejt godinës së Kryeministrisë, duke mbushur bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me pankarta, flamuj dhe thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike.

Protesta e qytetarëve u nxit nga ngjarjet që ndodhën pas protestës kundër ndërtimeve në Zvërnec, ku u dhunua një protestues nga rojet e sigurisë, duke u masivizuar më pas edhe në qytete të tjera të vendit, ndërsa përgjatë ditëve të fundit ka pasur protesta të shqiptarëve edhe në qytete të tjera të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme