“Po vendoset shteti policor”, Berisha akuzon Ramën për përgjimin në shkallë të gjerë të qytetarëve

Politikë | 1 vit më parë

“Shqipëria po kthehet në një shtet policesk,” deklaroi të martën kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Në konferencën e radhës për gazetarët, kreu i demokratëve akuzoi kryeministrin Edi Rama si ideatorin e vendosjes së një sistemi përgjimi të ngjashëm në model me atë të ish-Sigurimit të Shtetit gjatë periudhës komuniste. Ai tha se i ashtuquajturi “Smart City”, projekt që përfshin instalimin e mijëra kamerave inteligjente në ambientet publike, po ashtu synon pikërisht të mbjellë frymën e kontrollit total mbi çdo hapësirë publike dhe private.

“Ai po punon ditë e natë për ndërtimin e shtetit më policesk të planetit. Dhe ai nuk po e fsheh këtë më, po tregohen të verbër dhe konformistë njerëzit ndaj tij, kurse ai publikisht ai kur vendosi bllokimin e TikTokut, vendosi të gjithë teknologjinë e regjistrimit të përgjithshëm të çdo lloj komunikimi në Shqipëri, teknologji të cilën nuk e ka vendosur asnjë vend tjetër, sepse ajo është teknologjia më policeske, me të cilën kontrollohet totalisht privatësia e çdo qytetari, shqiptar apo të huaj.

Smart City në një vend demokratik ka synim t’u japë qytetarëve informacionin e duhur në të gjitha shërbimet, trafikun, etj, por nuk ka synim kurrë t’i përgjojë, t’i spiunojë ata në këtë mënyrë. Unë mendoj se çdo shqiptar duhet të kuptojë se vëzhgimi i tij, mbikëqyrja e tij policeske përbën fundin e çdo privatësie për të. Në një shkallë të tillë nuk e ka bërë kurrë Sigurimi i Shtetit, sado numrin e agjentëve, sado regjistrues që vendoste, por nuk ka vendosur kurrë regjistrues në klasa të nxënësve. Nuk ka shndërruar mësuesin në polic apo drejtorin e shkollës në polic. Pra, kemi të bëjmë me një përshkallëzim të hapur të vendosjes së shtetit policor,” tha z. Berisha, ndërsa shtoi se kësaj sipërmarrjeje “policeske” i janë bashkuar edhe institucione të tjera veç Kryeministrisë, si AKEP-i, Ministria e Drejtësisë dhe kreu i Magjistraturës, Arben Rakipi.

Kryedemokrati iu rikthye thirrjes për një hetim amerikan ndaj kryeministrit Rama dhe dosjes “McGonigal” që e implikon atë, sipas z. Berisha.

“Mediet ndërkombëtare e komentojnë gjerësisht faktin se kreu i organizatës kriminale shqiptare apo kryeministri i narkoshtetit shqiptar gjendet në vorbullën e superskandalit që përfshin shërbimet më të mëdha inteligjente të planetit, FBI-në, shërbimin rus dhe atë kinez… Unë jam këtu sot për t’i bërë thirrje FBI-së, Ministrisë së Drejtësisë të SHBA, Kongresit dhe Senatit të ndihmojnë shqiptarët në hetimin e këtij superskandali, pasi Altin Troplini, ky mercenar i Edi Ramës, mban prej tre vitesh në sirtar dosjen e dorëzuar nga opozita,” deklaroi z. Berisha duke iu referuar me kreut të SPAK-ut, Altin Dumani.

Teksa Kuvendi i ri bëhet gati të nisë punën këtë javë, z. Berisha theksoi se rivalët politikë që ai do të ketë përballë në sallë janë rezultati i një farse elektorale, ndërsa i quajti si të diktuara nga Rama vlerësimet për zgjedhjet e 11 majit nga kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

“Natyrisht këta janë të gjithë… flasin çfarë thotë zyra e Edi Ramës. Këta i marrin të gatshme nga zyra e Ramës dhe i lexojnë. Si Ilirjani, ashtu dhe Bajrami, edhe të gjithë me radhë. Këtu ka vetëm një zyrë shtypi dhe ajo zyrë shtypi është vetëm e Edi Ramës. Nuk ka deklaratë me qesharake. Zgjedhjet ishin një farsë e vërtetë elektorale dhe ne kemi faktuar me qindra mijëra fakte se, në këto zgjedhje u shkelmuan standardet më elementare të zgjedhjeve të drejta, standardet ndërkombëtare dhe ligjet e vendit,” tha z. Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme