Pogradeci çel sezonin turistik veror, hidroplani u ul për herë të parë në liqenin e Ohrit
Pogradeci ka çelur zyrtarisht sezonin turistik veror me aktivitete kulturore, artistike dhe promovuese. Risia e këtij viti ishte ulja për herë të parë e një hidroplani në liqenin e Ohrit, i cili realizoi fluturime demonstrative dhe shëtitje panoramike për vizitorët. Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, e cilësoi këtë si një simbol të zhvillimit të turizmit dhe të potencialeve që ofron zona e liqenit.
“Edhe pse potenciali i Pogradecit është shumë i madh, ka ende punë për të bërë. Ka ende shumë punë dhe projekte të cilat ose janë në fazë përmbylljeje, ose nisin, dhe ka ende nevojë për dorë në kuptimin edhe të financimit, edhe të buxhetit. Pogradeci ka shumë nevojë për më shumë mbështetje”, tha ministri.
Gjatë aktivitetit u fol edhe për bashkëpunimin mes Pogradecit dhe Strugës. Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, dhe kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, theksuan rëndësinë e krijimit të një linje të përbashkët transporti ujor për të lehtësuar lëvizjen e turistëve mes dy qyteteve.
Çelja e sezonit turistik shënon nisjen e një vere të mbushur me aktivitete, festivale dhe evente të ndryshme, me synimin për të tërhequr sa më shumë vizitorë në qytetin liqenor.
Gazetare: E. Xhindole
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




