Policia e Durrësit: Arrestohet autori i plagosjes në Shijak, prezantohet bilanci i majit dhe masat për sezonin veror 

Aktualitet | 5 muaj më parë

Në një konferencë për shtyp, Drejtori i Policisë së Durrësit, Ervin Hodaj, dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Altin Lila, prezantuan rezultatet e punës së strukturave policore për muajin maj, duke u ndalur te operacionet kundër narkotikëve, siguria rrugore dhe masat për sezonin turistik. 

Hodaj njoftoi se është arrestuar i dyshuar për plagosjen me armë zjarri të një qytetari në lagjen “Lugina” të Shijakut. 

 “Së pari, duke marrë shkas nga plagosja në Shijak, është bërë kapja e autorit dhe arrestimi i tij për ‘plagosje e rëndë me dashje’. Ka qenë një angazhim i të gjithë forcave. Një nga metodat e policisë ka qenë edhe bashkëpunimi me familjarët. Nuk pati rezistencë gjatë arrestimit,” – deklaroi Hodaj. 

Drejtori i Policisë prezantoi statistikat e muajit maj, duke theksuar transparencën e punës së strukturave.

“Gjatë muajit maj janë evidentuar 383 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 382. Janë identifikuar 434 autorë të dyshuar, prej të cilëve 117 janë vendosur në pranga, 342 janë proceduar në gjendje të lirë, dhe 15 janë shpallur në kërkim.” 

Ai shtoi se krahasuar me muajin e kaluar, janë evidentuar 136 vepra penale më shumë, ndërsa zbulueshmëria është rritur me 2%. 

“Janë finalizuar 10 operacione policore, ku janë arrestuar 36 persona. Operacionet kanë konstatuar në fushën e shitjes së lëndëve narkotike, ku janë finalizuar 3 operacione, 2 prej tyre për shpërndarjen e lëndëve narkotike në afërsi të shkollave në Shijak e Kavajë,” – shtoi Hodaj. 

Mw tej ai deklaroi se, Policia e Durrësit ka ndërmarrë një sërë masash për menaxhimin e trafikut dhe sigurinë gjatë sezonit turistik: 

“Janë marrë masa me rendin komisariatet e Durrësit dhe komisariate të tjera për të bërë të mundur lehtësimin e trafikut gjatë sezonit të verës. Monitorimi do të bëhet edhe me pajisje inteligjente,” – theksoi Hodaj. 

Gjithashtu, ai bëri të ditur se janë zhvilluar operacione kundër ushtrimit të prostitucionit. 

 “Drejtoria vendore e Durrësit ka pasur disa operacione kundër ushtrimit të prostitucionit. Nga ana jonë është proceduar vetëm për ushtrim prostitucioni dhe jo shfrytëzim, por hetimet vazhdojnë për zbardhjen e të gjitha rasteve.” 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme