“Prapaskena e Fest 64”, Gresa falënderon mamanë: Ka kënduar gjithnjë këngët e Festivalit. Bledi: “Nuk kërkoj tjetër njeri” perla e muzikës shqiptare

Nata e Nostalgjisë në Festivalin e 64-të solli në skenë një nga himnet më të fuqishme të dashurisë. Kënga “Nuk kërkoj tjetër njeri”, një dedikim i ndjerë dashurie, u interpretua plot energji nga trioja Gresa, Bledi dhe mjeshtri Elton Deda.
Tingujt e kësaj balade krijuan një atmosferë elektrizuese në sallë, ndërsa protagonistët ndanë emocionet e tyre ekskluzive për rubrikën “Prapaskena e Fest 64”.
Emocioni i dyfishtë i Gresës
Për këngëtaren Gresa, kjo performancë kishte një peshë të veçantë emocionale, që shkonte përtej garës. “Ka qenë një emocion i dyfishtë, jo vetëm kënga që është fantastike, por edhe interpretimi bashkë me Elton Dedën dhe Bledin,” u shpreh ajo.
Gresa nuk harroi të bënte edhe një dedikim personal, duke falënderuar mamanë e saj, e cila, sipas këngëtares, ka kënduar gjithnjë këngët e Festivalit në shtëpi, duke i ushqyer dashurinë për këtë muzikë.
Bledi: Këngët e Festivalit kanë mbetur melodioze
Nga ana tjetër, Bledi u ndal te vlerat artistike të këngës dhe trashëgimisë së Festivalit. Ai e cilësoi këngën “Nuk kërkoj tjetër njeri” si një monument të muzikës sonë.
“Kjo këngë është një nga romancat më të bukura që është shkruar ndonjëherë dhe është një nga perlat e muzikës shqiptare,” tha ai.
Bledi shtoi se ajo që e bën këtë festival të veçantë është ruajtja e linjës melodike ndër vite: “Në Festival këngët janë melodioze. Ka mbetur e fortë ana melodike dhe kjo është vlerë.”
Performanca e treshes konfirmoi se baladat e mira nuk kanë moshë, duke bërë që salla të këndojë njëzëri me ta.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




