Preç Zogaj në “Trialog“: Shtyrja e vendimit për herë të dytë nga Kushtetuesja është politike, rrezikohet integrimi
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të shtyrë për herë të dytë shqyrtimin e ankimimit të bërë nga kryeministri lidhur me çështjen “Balluku”, është komentuar nga analisti Preç Zogaj.
I ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH, me moderatoren Alba Alishani, Zogaj u shpreh i befasuar nga kjo shtyrje, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me presionin politik.
“Nuk e prisja shtyrjen për herë të dytë, duke pasur parasysh se Kushtetuesja ka dhënë edhe vendime të shpejta,” u shpreh Zogaj. Sipas tij, arsyeja e vetme pas këtij hezitimi është politika.
“Kushtetuesja po humbet reputacionin duke mbajtur një qëndrim pa qëndrim. Duket se ka shumë presion,” theksoi analisti, duke nënvizuar se kjo lojë po dëmton besimin te drejtësia e re.
Analisti kritikoi gjithashtu qëndrimin e Kuvendit, që sipas tij po e përdor pritjen e vendimit të gjykatës si pretekst për të bllokuar proceset.
“Rama duket se kërkon një vendim në favor nga Kushtetuesja. Parlamenti nuk ka pse i lidh këto, sepse janë dy gjëra të ndryshme. Është një top që hidhet në fushën e njëri-tjetrit,” analizoi Zogaj.
Zogaj paralajmëroi se kjo sjellje penguese e mazhorancës ndaj drejtësisë po vëzhgohet me kujdes nga ndërkombëtarët dhe mund t’i kushtojë shtrenjtë Shqipërisë.
“Nëse qeveria dhe parlamenti i bëhen pengesë drejtësisë, ne humbim integrimin. Ne të akuzuarit nuk i shohim si të fajshëm, por ata duhet ta lënë të rrjedhë drejtësinë. Kjo pengesë i kushton vendit, jo thjesht një grupi parlamentar,” përfundoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




