Presidenti Begaj në Vatikan për ceremoninë e inaugurimit të Papa Leonit XIV, takohet me Atin e Shenjtë

Aktualitet | 1 vit më parë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryesoi delegacionin shqiptar që mori pjesë në Vatikan në ceremoninë e inaugurimit të Papa Leoni XIV, ku merrnin pjesë personalitete të rëndësishme nga vende të ndryshme të botës. 

Kreu i Shtetit pati edhe një takim me Papa Leoni XIV, të cilit i shprehu urimet më të përzemërta me rastin e zgjedhjes At i Shenjtë dhe  Peshkop i Kishës Katolike Romake.

“I lumtur që isha pjesë e ceremonisë së inaugurimit të Papa Leoni XIV në Selinë e Shenjtë, Vatikan. Le të frymëzohemi nga misioni i Papa Leoni XIV për paqen dhe ndërtimin e urave të dialogut për të përballuar bashkë sfidat dhe pasiguritë. Besoj se Papa Leoni XIV do të sjellë paqe, harmoni dhe unitet në botë.”-shkruan Presidenti Begaj teksa ka bërë publike fotot nga ceremonoia e inaugurimit të Papa Leoni XIV.

Gjithashtu, Presidenti i Republikës përgëzoi Atin e Shenjtë për misionin e tij në ruajtjen e paqes dhe ndërtimin e urave të dialogut në një botë të mbushur me sfida dhe pasiguri.

Presidenti Begaj theksoi se udhëheqja e tij shpirtërore përfaqëson një zë që jep shpresë, dhembshuri dhe unitet ndërmjet njerëzve.

Shqipëria  është model i bashkëjetesës fetare, ku toleranca, respekti dhe harmonia midis feve të ndryshme janë vlera të rrënjosura thellë dhe trashëgimi e çmuar ndër breza.

Shqipëria pret me padurim të vazhdojë marrëdhënien e ngrohtë e të sinqertë me Vatikanin.

Në këtë ceremoni Presidenti u shoqërua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe Ambasadorja e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Frangaj.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme