Presidentja Osmani i drejtohet Kushtetueses pas ngërçit mbi konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Kosovë | 1 vit më parë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të sqaruar se çfarë ndodh pas përfundimit të afatit 30-ditor të përcaktuar me aktgjykimin e fundit për konstituimin e Kuvendit.

Gjatë një konference për media, Osmani theksoi se nuk dëshironin të bëjnë komente publike përpara se ta dorëzonin zyrtarisht kërkesën në Gjykatë.

Ajo e cilësoi situatën si të paprecedentë në jetën institucionale të vendit dhe tha se është e domosdoshme që të ketë një interpretim të qartë për të shmangur çdo paqartësi kushtetuese dhe institucionale.

 “Dua të iu njoftoj që sot në përmbushje të përgjegjësisë sime kushtetuese për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve të vendit kam paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuar nga mungesa e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kjo është një kërkesë që paraqitet pas një situate të paprecedentë në jetën institucionale të vendit tonë, ku pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka paraqitur afatin kushtetues të detyrueshëm kanë mbetur vetëm pak ditë”, tha ajo.

Por, e para e shtetit tha se nuk shihen në horizont as kompromisi as konsensusi brenda këtij afati kushtetues.

“Duke qenë se çdo afat i detyrueshëm kushtetues e çdo moszbatim i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese duhet të ketë edhe pasoja juridike, por ato nuk janë sqaruar në aktgjykimin paraprak, kërkesa jonë është kërkesë për qartësimin e pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit 30 ditësh. Kjo kërkesë ka karakter preventiv, është kërkesë që bëhet për shkak të parandalimit të pasojave të pariparueshme dhe është në përputhje të plotë me Kushtetutën e praktikat e Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.

Tutje e para e shtetit tha se kërkesa e dërguar në Kushtetuese nuk e paragjykon epilogun në afatin prej 4 ditësh për konstituim. Tha se nëse ka ndonjë sukses në konstituimin e Kuvendit brenda 4 ditësh ata mund ta tërheqin kërkesën.

“Edhe pse qartësitë për çështjet që i kemi ngritur në këtë kërkesë ne besojmë që janë esenciale jo vetëm për këtë legjislaturë, por edhe në të ardhshmet”, tha presidentja.

Që nga 15 prilli, Kuvendi ka dështuar plot 48 herë radhazi në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Procesi i konstituimit ka mbetur i bllokuar pasi Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por kjo kandidaturë nuk ka gjetur përkrahje nga partitë e tjera parlamentare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme