Për shkak të rrezikut nga përmbytjet, sot pezullohet mësimi në Prishtinë

Procesi mësimor në të gjitha institucionet arsimore të Prishtinës është pezulluar për ditën e sotme, si masë parandaluese pas intensifikimit të reshjeve dhe rritjes së rrezikut për vërshime në kryeqytet.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, i cili në një njoftim publik ka theksuar se vendimi është marrë pas vlerësimit të situatës së rënduar atmosferike dhe vështirësive të mëdha në qarkullim.
“Ju njoftojmë se për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike, reshjeve të mëdha të shiut dhe vështirësive në komunikacion, në koordinim me Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave, Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe drejtorët përkatës të shkollave, procesi mësimor për ditën e sotme anulohet. Ky vendim është marrë edhe në koordinim me Kryetarin e Kryeqytetit, dhe është masë preventive e sigurisë për fëmijët tanë”, ka thënë Shahini.
Komuna e Prishtinës ka falënderuar prindërit dhe komunitetin shkollor për mirëkuptimin, duke bërë apel për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe me rrezik të lartë meteorologjik.
Instituti Hidrometeorologjik ka paralajmëruar se këto reshje mund të shkaktojnë vërshime të shpejta dhe rritje të nivelit të ujërave në disa lokalitete.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë të ditur se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe koordinimin me institucionet relevante.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




