Prodhimi i dronëve sulmues-Ukraina: Rusia pritet të marrë 12 mijë punëtorë nga Koreja e Veriut

Inteligjenca ushtarake e Ukrainës (HUR) njoftoi sot se Rusia po planifikon të importojë deri në 12 mijw punëtorë nga Koreja e Veriut për të ndihmuar në prodhimin e droneve të sulmit Shahed/Geran me rreze të gjatë në zonën ekonomike të veçantë Alabuga në Tatarstan.
Ky hap reflekton varësinë në rritje të Moskës nga Pheniani, ndërsa kapaciteti industrial rus po mbingarkohet nga kërkesat e luftës kundër Ukrainës.
Tatarstani është një republikë në pjesën qendrore të Rusisë, e vendosur në rajonin e lumit Vollga, rreth 800 kilometra në lindje të Moskës; ajo njihet për zonat e mëdha industriale dhe popullsinë e përzier etnike të rusëve dhe tatarëve.
Sipas HUR, plani parashikon vendosjen e punëtorëve koreanë-veriorë në Alabuga deri në fund të vitit 2025.
Kjo qendër është bërë një pikë qendrore për montimin e droneve Shahed/Geran, të cilat Rusia i përdor në sulmet e përsëritura ndaj qyteteve dhe infrastrukturës civile të Ukrainës.
HUR raporton se në fund të tetorit, zyrtarë të Ministrisë së Jashtme ruse zhvilluan bisedime me përfaqësues të kompanisë koreane veriore Jihyang Technology Trade Company, e cila është përgjegjëse për zgjedhjen dhe furnizimin me punëtorë nga RD e Koresë.
Diskutimet u përqendruan në organizimin e transferimit dhe kushteve të punësimit për fuqinë punëtore të ardhshme.
Punëtorët pritet të fitojnë rreth 2.5 dollarë në orë dhe të kryejnë turne 12-orëshe, një model në përputhje me praktikat e eksportit të punës së kontrolluar nga shteti koreanoverior.
Inteligjenca ukrainase e përshkruan rekrutimin si pjesë e një strategjie më të gjerë, ku Moska kërkon të dalë mbi mungesat e fuqisë punëtore duke thelluar lidhjet politike dhe ushtarake me Pyeongjangun.
“Këto masa demonstrojnë bashkëpunimin strategjik në zgjerim midis dy diktaturave për të mbështetur luftën agresive të Rusisë kundër Ukrainës”, tha HUR.
Ukraina ka paralajmëruar vazhdimisht komunitetin ndërkombëtar për mbështetjen direkte ose indirekte të Koresë së Veriut për makinën luftëtare ruse – përmes municioneve, transfereve të teknologjisë ose punës.
Në shtator, Keiv Post raportoi se udhëheqësi koreanoverior Kim Jong Un tha se vendi ka parë një rritje të mprehtë të të rinjve që kërkojnë të bashkohen me ushtrinë pas dërgimit të mijëra trupave për të luftuar pranë forcave ruse në rajonin e Kurskut.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




