Programi i vetëpunësimit nxit interesin, AKPA Shkodër, 104 aplikime për grantet e vitit 2025
Programi i vetëpunësimit, i zbatuar nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësimit Profesional, po vijon për të pestin vit radhazi në Shkodër. Për grantet e vitit 2025, pranë Drejtorisë Rajonale të AKPA në Shkodër, kanë aplikuar 104 persona, shumica prej tyre të rinj nën moshën 35 vjeç. Kjo është shifra më e lartë e aplikimeve që nga nisja e programit, dhe rritja e interesit lidhet kryesisht me faktin se këtë vit vlera e grantit është dyfishuar deri në 1 milion lekë të reja nga 500 mijë që ishte vitet e mëparshme. Specialistët e drejtorisë rajonale të punësimit në Shkodër, bëjnë të ditur se projektet e propozuara nga aplikantët, për grantet e këtij viti, janë kryesisht të orientuara drejt shërbimeve në komunitet.
“Idetë e biznesit janë të ndryshme, komplekse dhe nga zona të ndryshme janë të gjithë individët që regjistrohen te zyrae punës. Është për të theksuar se në vitet e tjera, granti ka qenë në vlerën 500 mijë lekë ndërs sot është 1 milonë lekë, pra është dyfishuar. Prandaj është më atraktiv dhe krijon një imazh besues te këta individë që e shohin si një qasje në tregun e punës”, deklaroi Julja Dekovi Specialiste pranë AKPA Shkodër.
Nga 104 aplikantë për grantet e këtij viti, janë përzgjedhur 84 kandidatë që plotësonin kriteret si punëkërkues të papunë dhe që aktualisht po ndjekin trajnimin për hartimin e planeve të biznesit. Pas përfundimit të trajnimit, brenda muajit nëntor, kandidatët do të dorëzojnë planet e tyre pranë Drejtorisë Qendrore të AKPA, e cila gjatë muajit dhjetor do të shpallë projektet fituese. Gjatë katër viteve të para të zbatimit të programit, në qarkun e Shkodrës kanë përfituar nga grantet deri në 500 mijë lekë gjithsej 111 punëkërkues të papunë.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




