Progres raporti/ Kallas dhe Kos: Shqipëria përparim të paprecedentë drejt BE. Mbyllja e procesit në 2027 i mundur, por rrugë e gjatë përpara

Aktualitet | 12 muaj më parë

Shqipëria ka shënuar një përparim të paprecedentë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, sipas raportit më të fundit të Komisionit Evropian për procesin e zgjerimit. Vlerësimi u prezantua nga Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, dhe Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, të cilat dhanë një pasqyrë të gjetjeve kryesore të raportit të ri.

“Shqipëria ka bërë progres të paprecedentë që prej konferencës ndërqeveritare në tetor 2024. Katër grupkapituj të tjerë janë hapur dhe në nëntor hapim grupkapitullin e fundit. Kjo është një njohje e angazhimit të qartë politik të Shqipërisë dhe e aspiratave të qarta të shoqërisë shqiptare, 91% e qytetarëve e duan anëtarësimin në BE,” deklaroi Kos.

Komisionerja theksoi se Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në reformat e kapitujve themelorë dhe se mbyllja e të gjithë procesit në 2027 është i mundur, por shtoi se vendi ka një rrugë të gjatë përpara.

“Një vend nuk duhet të ketë dy kategori. Procesi i integrimit për të mbyllur kapitujt deri në vitin 2027 është i mundur. Por, sigurisht, mbetet ende shumë rrugë përpara,” shtoi ajo.

Në lidhje me Shqipërinë, Kos vlerësoi angazhimin e fortë politik dhe aspiratat e qarta evropiane të shoqërisë shqiptare, të cilat, sipas saj, kanë ndikuar ndjeshëm në progresin e shënuar gjatë vitit të fundit.

Sipas Kos, Shqipëria, Mali i Zi, Moldavia dhe Ukraina kanë bërë përparime të rëndësishme në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se “reformat shpërblehen”.

“Mund të them se këta katër kandidatë i kanë përputhur ambiciet e tyre me veprime konkrete,” tha ajo.

Në lidhje me Ukrainën, komisionerja vlerësoi përpjekjet e autoriteteve të Kievit, por paralajmëroi për nevojën që “të ruhet vrulli dhe të parandalohet çdo rrezik kthimi pas, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit”.

Kos: Synojmë anëtarësimin gradual të vendeve përmes mekanizmave të rinj

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka BE synon anëtarësimin gradual të vendeve kandidate duke u bazuar në tre strategji të rëndësishme që pritet të adoptohen së shpejti nga Komisioni Evropian.

Sipas saj, Komisioni Evropian po punon për të ndërtuar mekanizma të rinj që do të ndihmojnë integrimin gradual të vendeve aspirante drejt BE-së.

“Procesi i anëtarësimit është një proces tranzicioni ku ndihmojë për ndërtimin e institucioneve dhe luftën kudër korrupsionit. Për këtë arsye ne po ndërtojmë tani dhe për të ardhmen për integrimin gradual një nga elementët e rinj, është përfshirja e kandidatëve në tre strategjitë shumë të rëndësishme që do adaptojë komisioni shumë shpejt. E para mburoja demokratike, si mund të gjithë së bashku të mbrojmë demokracinë në vendet kandidate të BE. E dyta është strategjia e organizimit të shtetit dhe e treta si të angazhohemi më tepër në bazë të projekteve dhe të ecim para lidhur me lirinë e medias në mbrojtje të demokracisë. Në javët e ardhshme kjo do të jetë baza e diskutimeve se çfarë ne duhet për të qenë gati”, tha Kos.

Ajo shtoi se në javët e ardhshme, këto tre fusha do të jenë baza e diskutimeve për të përcaktuar hapat që duhen ndërmarrë për përgatitjen e vendeve kandidate drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.


Kos: Heqim sa më shpejt masat ndaj Kosovës. Zgjedhjet lokale, të mira

Pas publikimit zyrtar të progres raportit për Kosovën, Komisionerja për zgjerimin e BE-së, Marta Kos, deklaroi se Bashkimi Evropian do të heqë shumë shpejt masat e vendosura. Ajo e lidhi vendimin që BE do të marrë së shpejti, edhe me zhvillimin e zgjedhjeve lokale, që në vlerësimin e saj u konsideruar si mjaft të mira.

Kos deklaroi se progres raporti për Kosovën është tepër kritik, ndërsa theksoi se janë në kontakte të vazhdueshme me Qeverinë dhe Presidenten.

“Masat kundër Kosovës, do i heqim sa më shpejt të jetë e mundur, sidomos tani që zgjedhjet lokale janë kryer në mënyrë të mirë. Raporti për Kosovën është kritik. Jemi në kontakt me presidentin dhe qeverinë. Ata kanë premtuar që do ecin përpara dhe do e shohim këtë shumë shpejt”, deklaroi Kos.

BE-ja vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023-shit, për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.


Kallas: Lufta në Ukrainë nxiti zgjerimin e BE, por kjo nuk shkurton rrugën dhe procesin e bazuar në meritë

Në kudër të publikimit të progres raportit të KE për zgjerimin e Bashkimit Evropian, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se lufta në Ukrainë, ka nxitur procesin e zgjerimit të BE-së, por shton se kjo nuk do të shkurtojë proceduarat e pranimit të vendeve dhe se ndaj tyre do të ndiqet një “një proces të drejtë, të vështirë dhe të bazuar në meritë”.

“Pushtimi në shkallë të plotë i Rusisë në Ukrainë dhe ndryshimet gjeopolitike e bëjnë shumë të qartë argumentin për zgjerimin, por kjo nuk do të shkurtojë rrugët dhe nuk do të ofrojë asnjë shkurtore me procesin e pranimit një proces të drejtë, të vështirë dhe të bazuar në meritë”, tha Kallas.

Ajo shton se anëtarësimi i vendeve të reja në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 është një qëllim realist.

Kallas vlerësoi progres raportin si pozitiv për Shqipërinë, Moldavinë, Malin e Zi dhe Ukrainën, por shprehu rezerva për Gjeorgjinë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme