“Projekti “EU for Democracy” forcon kapacitetet e Kuvendit”- Peleshi: Bashkëpunimi me PE përshpejton integrimin e Shqipërisë

Politikë | 7 muaj më parë

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi një takim me ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, përfaqësuesen e Zyrës Rajonale të Parlamentit Europian në Tiranë, Tatiana Mrazikova, si dhe përfaqësues të ekipit IDEA +7.

Në një reagim, Peleshi theksoi se përshpejtimi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian po mbështetet nga rritja e bashkëpunimit të Kuvendit me Parlamentin Europian dhe programet e BE-së.

Ai nënvizoi rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit ndërinstitucional si një faktor kyç për integrimin europian të vendit.

Gjatë takimit u prezantua projekti trevjeçar “EU for Democracy”, i financuar nga Bashkimi Europian dhe i zbatuar nga IDEA +7.

Ky projekt synon të rrisë kapacitetet e administratës së Kuvendit, duke fuqizuar mekanizmat e kontrollit parlamentar dhe duke modernizuar shërbimet parlamentare në përputhje me standardet europiane.

Peleshi u shpreh se përfshirja në programet mbështetëse të BE-së po kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e rolit të Kuvendit dhe rritjen e standardeve demokratike.

Bashkëbiseduesit vlerësuan se iniciativa të tilla përbëjnë një hap konkret drejt konsolidimit të institucioneve demokratike dhe avancimit të agjendës së integrimit europian të Shqipërisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme