Prokurimet publike, Rama: Në raportin e BE, Shqipëria renditet e para në rajon për përmirësimet e bëra
Shqipëria është vlerësuar si vendi i parë në rajon për transparencën dhe cilësinë e prokurimeve publike, sipas një raporti të Bashkimit Europian, përgatitur nga instrumenti SIGMA në bashkëpunim me OECD. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim”, teksa e cilësoi raportin si shumë domethënës, duke theksuar se përmes shifrave dhe fakteve të publikuara, bie poshtë perceptimi negativ mbi marrëdhënien e Shqipërisë me korrupsionin.
Raporti i BE-së, sipas kreut të qeverisë, është një instrument i besueshëm dhe cilësor, që ka analizuar panoramën e përgjithshme të prokurimeve publike në rajon, duke nxjerrë në pah përmirësimet e Shqipërisë.
“Dhe, së fundi, dua të ndaj me ju kënaqësinë e marrjes këto ditë të një raporti shumë domethënës të Bashkimit Europian, përmes instrumentit përkatës të SIGMA-s dhe OECD-së, që ka analizuar edhe panoramën e përgjithshme të prokurimeve publike në rajonin tonë, ku Shqipëria spikat me përmirësimet e saj.
Përmes shifrave dhe fakteve, do të mund t’i tregojmë edhe publikut se sa larg janë të gjitha ato që thuhen dhe stërthuhen, duke ushqyer një perceptim negativ lidhur me raportin e Shqipërisë me korrupsionin dhe lidhur me pozicionin e kësaj shumice ndaj korrupsionit, në raport me realitetin e fakteve dhe të shifrave konkrete, të identifikuara dhe të rreshtuara jo nga qeveria apo ekspertët e saj, por nga një instrument i besueshëm dhe cilësor i Bashkimit Europian, me të gjithë integritetin e duhur profesional për të treguar se cila është e vërteta. Edhe në atë çka lidh prokurimet publike me transparencën dhe cilësinë e mekanizmave që i vënë ato në përdorim në të mirë dhe në interes të publikut, Shqipëria përsëri spikat si e para në rajonin”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




