Protesta e minatorëve të Spaçit, kryebashkiaku i Mirditës: Bashkia ka rol ndërmjetësues, jo vendimmarrës. Të respektohet Kodi i Punës

Prej disa ditësh, rreth 70 minatorë të minierës së Spaçit, të kontraktuar nga kompania “TETE Albania”, kanë ndërprerë punën, duke kërkuar njohjen e sindikatës dhe nënshkrimin e kontratës kolektive të punës. Protesta e tyre, e cila nisi më 8 tetor, është përshkallëzuar gjatë ditëve të fundit, duke sjellë edhe përplasje me policinë.
Lidhur me protestën, kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, tha se ndjek nga afër situatën dhe është në kontakt me të dyja palët, por se roli i bashkisë në këtë rast është i kufizuar ligjërisht.
Ai theksoi se e drejta e organizimit sindikal dhe e nënshkrimit të kontratave kolektive është e garantuar me ligj, ndërsa u bëri thirrje palëve të respektojnë Kodin e Punës.
“Prej disa ditësh minatorët e minierës së Spaçit të kontraktuar nga kompania TETE Albania që operon në Spaç janë në protestë. Ajo që nisi si një e drejtë për t’u organizuar dhe anëtarësuar në Konfederatën e Sindikatave ka përshkallëzuar në një protestë edhe për të drejta të tjera të ligjshme.
Ligji e parashikon te drejtën e anëtarësimit në sindikata apo konfederata sindikale dhe gjithashtu kontratë kolektive te punës. Kodi i punës rregullon marrëdhëniet mes punëmarrësit dhe punëdhënësit, prandaj të dy palët të gjejnë zgjidhje duke respektuar kodin e punës. Që në ditën e parë kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi në kontakt me të dy palët pa patur nevojë për lidhje te drejtpërdrejta me popullin për shoë, dhe me aq kompetencë sa ligji na lejon të ndërhyjmë, që në këtë rast ka shumë pak hapësirë që Bashkia të ushtrojë rolin e saj përveçse këshillues dhe ndërmjetësues”, shkruan Melyshi.
Kreu i bashkisë reagoi gjithashtu ndaj kritikave në rrjete sociale, duke i cilësuar disa prej tyre si të motivuara politikisht.
“Ndërkohë, në vend që të kontribuojë secili në zgjidhjen e problemit të minatorëve të Spaçit, ka dhe sehirxhinj nga livet apo faqet FB që kërkojnë “arsyen” e radhës për të sulmuar Bashkinë dhe që, për habi, nuk e ngrënë zërin ndaj institucioneve shtetërore që kanë kompetencë për të ndërhyrë në të tilla raste. Këta duhet të dinë se mua dhe institucionin që drejtoj nuk do të mund të na vënë nën presion për të përmbushur interesat e tyre politike apo vetjake. Bashkia vepron në bazë të ligjeve të shtetit dhe kompetencave të saj, duke qenë gjithnjë në anën e qytetarëve”, shkruan Melyshi.
Nga ana tjetër, kompania “TETE Albania” ka deklaruar më herët se është e hapur për dialog me punëtorët, por se sindikata nuk ka paraqitur dokumentacionin e plotë ligjor.
Ndërkohë, minatorët e Spaçit thonë se nuk do të tërhiqen pa u plotësuar kërkesat e tyre për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave minimale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




