Rama i ftoi për dialog, protestuesit rrëzojnë karriget para Kryeministrisë. Drejtoresha e MIA: Kryeministri i ka dyert e hapura
Vendosja e karrigeve para Kryeministrisë nga kreu i qeverisë, Edi Rama, me thirrjen për dialog drejtuar studentëve, nuk është pranuar nga protestuesit. Këta të fundit janë ngritur në protestë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.
Protestuesit kanë thyer karriget e vendosura para godinës së Kryeministrisë, duke deklaruar se nuk pranojnë dialogun e propozuar.
Në një reagim ndaj studentëve, drejtoresha e Agjencisë për Media dhe Informim, Manjola Hasa, u shpreh se kryeministri Edi Rama është i gatshëm të zhvillojë dialog pa kushte me ta.
“Jam këtu nëse doni të dialogoni me kryeministrin. Nuk jam këtu për të bërë asnjë deklaratë politike. Nuk jam këtu të flas as për reagimet e studentëve dhe as për reagimet e çdo qytetari që ka të drejtë të protestojë. Unë jam këtu nisur nga ftesa e haour për dialog e kryeministrit, realisht kush është i interesuar të bëjë dialog, të vijë me mua te kryeministri. Nëse mes tyre ka studentë, të rinj, qytetarë që janë të interesuar të dialogojnë, unë jam këtu për t’i përcjellë këto kërkesa. Nëse keni shqetësime, hajde shkojmë bashkë te kryeministri. Kryeministri i ka dyert e hapura”, deklaroi Hasa.
Protestës së studentëve i është bashkuar edhe një grup pedagogësh, në shenjë mbështetjeje për të rinjtë dhe kërkesat e tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



