Protestat në Iran, 139 nga të arrestuarit janë shtetas të huaj
Autoritetet iraniane kanë arrestuar 139 shtetas të huaj në qendër të vendit gjatë protestave të fundit antiqeveritare. Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim raportoi se, sipas autoriteteve të Republikës Islamike, të ndaluarit ishin përfshirë në organizimin, nxitjen dhe drejtimin e veprimeve rebele dhe, në disa raste, kishin qenë në kontakt me rrjete jashtë vendit. Kombësitë e të ndaluarve nuk janë bërë të ditura.
“Gjatë rishikimit të çështjeve që kanë lidhje me kryengritësit, u përcaktua se 139 nga të arrestuarit ishin shtetas të huaj”, bëri me dije agjencia.
Më 28 dhjetor të vitit të kaluar, në Iran nisën protesta kundër rritjes së kostos së jetesës, të cilat u kthyen në demonstrata mbarëkombëtare antiqeveritare. Teherani ka pranuar se më shumë se 3 mijë persona humbën jetën gjatë trazirave në rrugë, por këmbëngul se shumë prej tyre ishin forca të sigurisë ose kalimtarë.
Ndërkohë, Agjencia e Lajmeve e Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut, një OJF me seli në SHBA, ka konfirmuar 6 854 humbje jete, një pjesë e madhe e të cilave protestues të vrarë nga forcat e sigurisë. Grupe të tjera të të drejtave të njeriut paralajmërojnë se kjo shifër mund të jetë shumë më e lartë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




