PS kërkon përjashtimin e Berishës nga punimet e Kuvendit, pas deklaratave për ambasadorin Gonzato. Edhe PD kërkon përjashtimin e Ballës me 10 ditë
Seanca maratonë e 6 nëntorit u shoqërua gjithashtu me përdorimin e gjuhës joetike gjatë debateve mes opozitës dhe mazhorancës, duke bërë që si PS dhe PD të kërkojnë kërkesa në Kuvend për përjashtimin nga punimet e Kuvendnit të Sali Berishës dhe Taulant Ballës.
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka kërkuar nga Kuvendi marrjen e masës disiplinore ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për deklaratat e tij ndaj Ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato.
Në kërkesën e PS-së, propozohet përjashtimi nga pjesëmarrja në komisione dhe seanca plenare për 10, 30 ose 60 ditë, si dhe vlerësimi i shkeljes së normave të sjelljes dhe gjuhës parlamentare.
“Në seancën plenare të datës 6 nëntor 2025, deputeti Sali Berisha ka bërë deklarata publike fyese, denigruese dhe diskriminuese ndaj Ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, z Silvio Gonzato, duke cenuar jo vetëm dinjitetin personal të përfaqësuesit diplomatik, por edhe imazhin institucional të Kuvendit të Shqipërisë.
Ky veprim përbën shkelje të rëndë të etikës parlamentare dhe cenim të drejtpërdrejtë të parimeve të sjelljes së deputetit të përcaktuara në Kodin e Sjelljes dhe në Rregulloren e Kuvendit.
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dënon me ashpërsinë më të madhe sulmin ndaj Ambasadorit të Bashkimit Europian z. Silvio Gorzato
Deputeti Sali Berisha ka deklaruar:
“Ambasadorit të BE-së i them kaq, zotëri ne absolutisht respektojmë orientimin seksual të gjithsecilit, por përpjekjet tuaja për t’i imponuar shoqërisë shqiptare standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore, të gjinisë në diversitet të gjerë, përveç asaj binare dhe i them këtu, edhe në statusin tënd ti je binar.
Nuk merremi ne me trajtimin, ka fëmijë, ka pasur grua, ka marrë vendimet e tij më pas, siç e ka shpjeguar, se nuk dua të merrem me jetën e tij personale fare. Kështu që ligji nuk ka asgjë të përbashkët me asnjë. Le t’u thotë shqiptarëve se cila direktivë e BE bën fjalë për përkatësi të shumëfishtë gjinore apo ndoshta nuk ka folur fare dhe ti bëhesh zëvendësi i tij (i referohet gazetarit që bëri pyetje). Të dalë, të thotë se cila direktivë është.
Një gazetar më tha se Ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit, kërkoj të nderuarit Ambasador, të nxjerrë cila direktivë e BE-së e ka kërkuar një gjë të tillë, të nxjerrë cila direktivë. T’u thotë shqiptarëve se direktivat janë aty, sepse ky ligj nuk ekziston, është hedhur poshtë, nuk ekziston në 21 vendet anëtare të BE-se Sepse ky ligj është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze në vitin 2016
S’ka asnjë lidhje me direktivën europiane, asnjë lidhje dhe ata që e paraqesin ju kërkoj njerëzisht të na thonë cila është direktiva, ku shkruhet ne dokumentet e BE përkatësi r shumëfishtë gjinore apo gjini me diversitet i gjere, ne cilin dokument është shkruar kjo ne asnjë. Duan të marrin rastin e veçantë ja imponojnë shoqërisë
Edhe ai qe ka mbrojtur ligjin edhe ai ka pasur historinë e tij familjare, ka bërë ndryshimin ne s’kemi, ne e respektojmë orientimin seksual të gjithsecilit, por ne nuk përmbysim shoqërinë kurrë këtë”
Sa më sipër:
Bazuar në Nenin 65/1 “Masa disiplinore”, “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 10 ditë. 30 ditë ose 60 ditë të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar. Nenin 6 “Gjuha joparlamentare dhe diskriminuese” dhe Nenin 10 “Ndalimi i ngacmimit seksual të Kodit te Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, paraqesim kërkesën e mëposhtme:
Kërkojmë marrjen e masës disiplinore ndaj deputetit Sali Berisha, sipas parashikimeve të nenit 65/1. “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe ose në seancë plenare deri në 10 ditë. 30 ditë ose 60 ditë.
Thirrjen e mbledhjes së Sekretariatit për procedurat, Votimet dhe Etikën për vlerësimin e masës disiplinore”, thuhet në kërkesën e PS.
Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos, dënoi komentet e kreut të Partisë Demokratike ndaj ambasadorit të BE në Shqipëri Silvio Gonzato, lidhur me projektligjin për barazinë gjinore. Fill pas saj erdhi dhe reagimi i kryeministrit Edi Rama duke shprehur keqardhje për mënyrën se si, sipas tij, një ligj i rëndësishëm është keqpërdorur për qëllime politike.
Ndërkohë, edhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar nga Sekretariati i Etikës përjashtimin për 10 ditë nga punimet e Kuvendit të deputetit Taulant Balla. Sipas PD-së, në seancën e datës 6 nëntor, Balla përdori gjuhë fyese dhe kërcënuese ndaj deputetëve të opozitës, duke përdorur shprehje si “lehni”, “rraca e këtyre”, “ta tregoj unë ty” dhe “gënjeshtar”.
PD-ja thekson se kjo sjellje është e përsëritur dhe mbetet e pandëshkuar, dhe kërkon që Balla të përjashtohet nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare për 10 ditë.
“Në seancën e datës 06.11.2025, në shkelje të plotë të etikës dhe gjuhës parlamentare, gjatë diskutimit të tij në foltoren e Kuvendit, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ndërkohë që fliste për miratimin e kalendarit dhe programit të punës së Kuvendit, ndërmori një sulm me fyerje dhe gjuhë joparlamentare drejtuar deputetëve të opozitës.
Gjuha joparlamentare dhe fyese, që përfshinë fjalë “lehni”, “rraca e këtyre”, “la tregoj unë ty”, “gënjeshtar”, etj., gjatë fjalës për kalendarin dhe programin, është shkelje disiplinore sipas nenit 65/1, pika 1, shkronja “a”, ku specifikohet se: “/. Masa disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 10 ditë” i jepet deputetit: a) kur edhe pas tërheqjes se vëmendjes dhe dhënies së vërejtjes nga drejtuesi seancës/mbledhjes, bën thirrje për përdorim dhune, pengon zhvillimin e rregullt të seancës plenare/ mbledhjes së komisionit, shkakton kaos në seancë plenare/komision, fyen, kërcënon ose dhunon deputetët e tjerë, drejtuesin e seancës, anëtarët e Këshillit të Ministrave, të ftuarit ose persona të tjerë, apo përdor fjalë fyese për Presidentin e Republikës, Kryeministrin ose institucione të tjera shtetërore”.
Kjo sjellje e deputetit Taulant Balla është e përsëritur seancë pas seance, dhe mbetet në çdo rast i pa ndëshkuar. Fyerja dhe kërcënimi ndaj deputetëve të opozitës është i papranueshëm dhe duhet të shoqërohet me masën disiplinore përjashtimin me 10 ditë nga seanca plenare dhe komisionet parlamentare.
Prova për përdorimin e gjuhës jo parlamentare, fyese dhe kërcënuese, gjenden në faqen zyrtare të Kuvendit, në facebook, gjatë fjalës së deputetit Taulant Balla, lidhur me programin dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit. Për të gjitha sa më lart, në mbështetje te nenit 65/1, pika 1, shkronja “a”, kërkojmë:
Mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për shqyrtimin brenda afatit të kësaj kërkese. Marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare për 10 dite” ndaj deputetit Taulant Balla”, thuhet në kërkesën e PD.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




