Asambleja e PS, Rama: Drejtësia që kemi, ende larg asaj që i duhet Shqipërisë 2030, po shfaq sëmundje të vjetra

Kryeministri Edi Rama është fokusuar te drejtësia e re gjatë fjalës së tij hapëse në Asamblenë e Partisë Socialiste, e zhvilluar te Pallati i Kongreseve, ku pritet të prezantojë ndryshimet në kabinetin qeveritar për mandatin e katërt.
Rama nuk i kurseu kritikat ndaj sistemit të drejtësisë, duke thënë se edhe pse është rezultat i reformës së ndërmarrë nga mazhoranca socialiste që po drejton prej vitit 2013, sistemi ende mbart problemet e së shkuarës.
Rama tha se pushteti i ri i drejtësisë nuk është ai që i duhet vendit për të ecur drejt standardeve evropiane, duke e cilësuar atë “të sëmurë nga praktikat e vjetra” që dëmtojnë besimin publik.
Ai akuzoi organet e drejtësisë për praktika që i cilësoi të papranueshme, si intimidimi i personave në dijeni, paraburgimi si presion publik dhe juridik, rrjedhja e të dhënave hetimore dhe marrja e rolit të “superprokurorit apo noterit të prokurorit”.
“Pushteti i ri i drejtësisë shfaq hera-herës shenjat e sëmundjes së vjetër. Pushteti i ri i drejtësisë mban ende në radhët e veta prokurorë dhe gjykatës jo pak dritëshkurtër dhe mendjengushtë dhe me mungesë ulëritëse integriteti. Nuk bën përjashtim as vetë SPAK, krenaria e vetme gjer sot e zbatimit të reformës, dhe as Gjykata Speciale, jo që jo, e cila nuk po del ende nga hija e SPAK.
Kanë dhënë në më shumë se një rast arsye për t’u shqetësuar shumë seriozisht: intimidimi i personave në dijeni, paraburgimi si presion publik dhe juridik, nxjerrja e të dhënave hetimore rrugëve me qëllim për të linçuar fatin e personave të hetuar, marrja e rolit të superprokurorit apo noterit të prokurorit janë shenja të sëmundjes së drejtësisë së kalbur.
Kura për këto sëmundje nuk është kurrsesi kthimi pas nga rruga e pavarësimit të drejtësisë. Duhet durim strategjik për t’i dhënë kohës kohë. Duhet largpamësi për të mos bërë asnjë hap pas në raport me drejtësinë dhe pavarësinë e saj. Çdo hap i hedhur sot do ketë pasojë nesër, kushedi sa hapa larg nga drejtësia evropiane e gjeneratës tjetër”, tha Rama.
Rama shtoi se drejtësia aktuale është ende larg asaj që i nevojitet Shqipërisë për integrimin në BE, megjithatë, u shpreh ai, këto probleme nuk janë arsye për të bërë hapa pas me reformën në drejtësi, por se i duhet dhënë kohë si ai “fëmija që i duhet të rritet”.
“Jam plotësisht i vetëdijshëm se kjo që kemi është ende larg nga drejtësia që i duhet Shqipërisë 2030. S’duhet të kemi iluzion dhe nga askush në këtë sallë se s’ka rrugë tjetër përveç vendosmërisë dhe durimit shtetbërës”, theksoi ai.
Rama deklaroi se Partia Socialiste nuk ka ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyjë në vendimet e drejtësisë, duke e konsideruar reformën në drejtësi një hap historik, duke theksuar largimin e ekzekutivit nga çdo ndikim mbi prokurorë e gjyqtarë.
“Për të çelur kapitullin e mandatit tonë të 4 qeverisës, do na duhet të adresojmë menjëherë edhe emergjencën e krijuar në drejtimin e Tiranës për arsyen e ditur botërisht. Nuk mban më, por duhet të them që në fillim sa më qartë atë që besoj duhet ta ndajmë të gjithë së bashku mbi çështjen e drejtësisë dhe raportit tonë me të. Ne, PS, nuk kemi hyrë në asnjë rast dhe për asnjë rast në mes të çështjes së drejtësisë. Nuk e kemi bërë këtë dhe as do e bëjmë asnjëherë duke bërë avokatin e kujtdo, edhe kur mund të na duket e padrejtë.
Nuk kemi pasur dhe nuk do kemi asnjë pendesë për lirinë dhe pavarësinë që i kemi dhënë drejtësisë në reformën në drejtësi dhe mbi të gjitha me tërheqjen historike të pushtetit të shumicës nga fusha e pushtetit gjyqësor. Jemi larguar me vetëdije të plotë duart e ekzekutivit nga çdo proces seleksionimi, zgjedhjeje apo shkarkimi të prokurorëve dhe gjykatësve dhe çdo formë kontrolli të aktivitetit të tyre.
Kjo tërheqje e plotë nga fusha e gjyqësorit do të sjellë dhimbje dhe do na bëjë dëshmitarë të një lindjeje dhe rritjeje të vështirë të krijesës së një drejtësie të pavarur në shtatin e përgjakur dhe të pistë të drejtësisë që për 100 vite nuk ishte kurrë e pavarur. Drejtësia është prova më e egër e zjarrit në shërbim të Shqipërisë së gjeneratës tjetër”, tha Rama.
Në Asamblenë e PS, krahas 382 anëtarëve, të pranishëm janë edhe 53 kryetarët e bashkive që drejtohen nga socialistët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




