PS premton rregullime, Këshilli Ndërfetar mirënjohës ndaj Kuvendit për vendimin mbi projektligjin “Për Barazinë Gjinore”

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë (KNSh) ka shprehur sot mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për qëndrimin e bashkuar dhe të përgjegjshëm të përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës në Kuvend, lidhur me projektligjin e paraqitur nga Ministria e Shëndetësisë për “Barazinë Gjinore”.
Në një deklaratë për shtyp, Këshilli thekson se vendimi i Kuvendit “reflekton respektin ndaj vlerave natyrore dhe parimeve themelore mbi të cilat është ndërtuar shoqëria jonë, si dhe ndjeshmërinë ndaj frymës dhe traditës kulturore e fetare të shqiptarëve.”
KNSh, në emër të pesë komuniteteve fetare në vend, vlerësoi lart dialogun, bashkëpunimin dhe maturinë e treguar gjatë procesit, duke e konsideruar këtë si një “shembull pozitiv të përgjegjësisë institucionale dhe kujdesit për të mirën e përbashkët.”
Këshilli Ndërfetar i drejtoi një falënderim të posaçëm ekspertëve të grupit të punës nga pesë komunitetet fetare, juristëve, sociologëve dhe specialistëve, të cilët kontribuuan në përgatitjen e raportit profesional dhe në lobimin pranë institucioneve vendase e ndërkombëtare.
Gjithashtu, u vlerësua puna e medias shqiptare për pasqyrimin “korrekt dhe të përgjegjshëm të deklaratave për shtyp dhe të raportit të punës së grupit ndërfetar”, duke ndihmuar në informimin e drejtë të opinionit publik.
Në mbyllje të deklaratës, Këshilli Ndërfetar ritheksoi angazhimin e tij për të kontribuar me frymë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi në çdo nismë që lidhet me mbrojtjen e vlerave njerëzore, shoqërore dhe morale të vendit, si dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm dhe integrimin e Shqipërisë në BE.
Projektligji “Për Barazinë Gjinore” hyn në kalendarin e Kuvendit, PS premton rregullime
Projektligji “Për Barazinë Gjinore”, i cili ka ngjallur debate dhe kundërshti të forta në opinionin publik dhe mes palëve politike, ka hyrë zyrtarisht në kalendarin e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë.
Partia Socialiste, propozuese e këtij projektligji, pritet të bëjë disa saktësime në variantin fillestar, përpara se ai të hidhet për diskutim në komisionet parlamentare javën e ardhshme.
Votimi i projektligjit në seancë plenare është planifikuar të zhvillohet më datë 30 tetor.
Ky projektligj është kundërshtuar ashpër nga opozita, e cila pretendon se ai prek rëndë thelbin e familjes tradicionale dhe vlerat themelore të shoqërisë shqiptare. Kundërshtia ndaj ligjit ka bashkuar opozitën me komunitetet fetare në vend.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




