PS rrëzoi kërkesën e PD për shkarkimin e Peleshit, Berisha: Kauzë, shkelje të rregullores dhe kolaps parlamentar
Pas rrëzimit në Kuvend të kërkesës së opozitës për shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një dalje për mediet e cilësoi situatën si një “kaos total parlamentar”. Ai akuzoi mazhorancën për shkelje të rregullores së Kuvendit.
Berisha u shpreh se, sipas tij, ministri Peleshi “tentoi të mbulojë shkeljen e rregullores” dhe se procesi i votimit ishte i parregullt.
“Ajo që kryeson sot aty nuk merrte vesh se çfarë hidhte në votim. Aty janë dy raporte, hidhen dy raportet dhe pastaj bëhet votimi. Ka procedurë të sanksionuar në rregullore, por këta nuk njohin rregullore, njohin vetëm urdhra që marrin dhe pastaj bëjnë të paditurin,” deklaroi Berisha.
Kreu i opozitës shtoi se sipas tij seancat plenare janë kthyer në formalitet, duke theksuar se qeveria aktuale po e çon parlamentin drejt një kolapsi të plotë.
“E dëgjuat Niko Peleshin se si u përpoq me hipokrizinë më të madhe të mbrojë kolapsin e plotë parlamentar që ka krijuar. Ka ndodhur ndonjëherë në historinë e ndonjë parlamenti në botë që për 28 minuta të miratohet kabineti i ri dhe programi i qeverisë? Kurrë! Ka ndodhur ndonjëherë që në seanca të tëra parlamenti të mbyllet brenda disa minutash?” u shpreh Berisha.
Kërkesa e opozitës për shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, u rrëzua nga mazhoranca gjatë seancës plenare të sotme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




