PSG, Luis Enrique admiron Interin: Më pëlqen shumë se si luan, finalja do të jetë një spektakël

I pesti në fund të fazës së grupit të Ligës së re të Kampionëve dhe tashmë protagonist në finale pasi ka dominuar, si zakonisht, Ligue 1. Sezoni i PSG-së i Luis Enrique ka qenë në rritje, i revolucionarizuar në skuadër dhe në mënyrën e lojës pas lamtumirës së yjeve të mëdhenj si Neymar, Messi dhe Mbappé.
“Për mua ka shumë yje në këtë ekip, – komentoi Luis Enrique një javë para finales në Mynih kundër Interit, – por e bukura është se ata janë aty për ekipin dhe jo anasjelltas”.
Një referencë jo shumë e bukur për kampionët që u larguan nga Parisi, duke nxjerrë në pah talentin e të rinj si Desiré Doué dhe Bradley Barcola, si dhe serinë e rizbuluar të golave të Ousmane Dembélé. “Kam shumë lojtarë të nivelit të lartë, por është puna e të gjithëve që i sjell përfitim skuadrës. Futbolli është një sport ekipor dhe për mua ky është aspekti më i rëndësishëm, nuk varet nga individët”.
Pas eliminimit të tre skuadrave angleze në rrugën e tyre drejt finales, përkatësisht Liverpool, Aston Villa dhe Arsenal, për aktin final kundërshtar është Interi i Simone Inzaghit: “Për shumë vite zikaltërit kanë luajtur në një nivel të lartë dhe në një mënyrë të ndryshme nga ekipet e tjera, sepse ata dinë të luajnë lart ose poshtë, duke ndryshuar presionin me lojtarë si Lautaro e Thuram. Për mua, Interi është një ekip i vërtetë dhe si ne, të gjithë punojnë për kolektivin, por me shumë cilësi individuale. Të gjithë e dinë gjithmonë se çfarë duhet të bëjnë dhe mendoj se do të jetë një finale shumë e hapur dhe e luftuar, e bukur për t’u parë. Do të jetë një spektakël”.
Pas Ligue 1, PSG po luan edhe për Kupën e Francës dhe Ligën e Kampioneve, pikërisht në vitin në të cilin strategjia ndryshoi edhe në merkato: “Nuk ishte e mundur të dihej 100% se do të arrinim në këtë nivel, por sigurisht që jemi përmirësuar në krahasim me fillimin e vitit”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




