Punimet e dorës dhe pasioni i fëmijëve, “Art & Craft” po rritet si formë e re krijimtarie

Aktualitet | 12 muaj më parë

Punimet “Art & Craft” po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje mes të rinjve. Puna me dorë për realizimin e bizhuterive, aksesorëve dekorativë apo punimeve artistike, po kthehet në një mënyrë të bukur për të shprehur talentin dhe kreativitetin personal.

Artizania Bruna Zguro thotë se të rinjtë po tregojnë interes të veçantë për të mësuar këto aftësi. Përmes kursit të “Art & Craft” pranë qendrës kulturore të fëmijëve në qytetin e Korçës, ata mësojnë teknika të ndryshme, ndërkohë po përgatiten për të sjellë disa punime me motive për festat e nëntorit.

“Është e rëndësishme që fëmijët të merren me krijimtari dhe punë dorë për t’i larguar nga teknologjia e sotme. Telefonat po bëhen pengesë e madhe që ata të mësohen për të punuar vetë dhe jo gjithçka ta gjejnë të realizuar. Ne po i mësojmë të bëjnë punime të ndryshme me dore që nga punimet me letra, punime me fije, me gjilpëre dhe shumë herë më befasojnë më atë që realizojnë”, tha artizania Zguro.

Fëmijët që frekuentojnë këtë kurs, po përgatiten edhe për çeljen e një ekspozitë në fundvit, ku do të prezantojnë punimet e bëra gjatë këtij viti.

Krijimtaria, durimi dhe vëmendja ndaj detajeve janë disa nga cilësitë që këto punime ndihmojnë të zhvillohen, duke i afruar të rinjtë më shumë me botën e artit dhe punës krijuese.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme