Qeveria e re në Kosovë, ligjvënësit e LVV shprehen optimistë për krijimin e ekzekutivit të ri

Kosovë | 2 vite më parë

Pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit arriti të marrë 48 mandate në Kuvendin me 120 deputetë dhe nuk ka numrin e nevojshëm për të qeverisur e vetme Kosovën, ligjvënës të saj, që u regjistruan të enjten si deputetë në Kuvend, u shprehën optimistë se partia e tyre ka arritur të sigurojë numrin e nevojshëm të votave për ekzekutivin e ri.

“Patjetër që po [i kemi numrat e qeverisë]. 61 i kërkon Kushtetuta, sa më shumë, sa më mirë… me deputetët e Kuvendit të Kosovës,” deklaroi Hekuran Murati, sipas KosovaPress.

Të njëjtin mendim shprehu edhe Agim Bahtiri.

“Unë mendoj se po. Janë numrat për formimin e qeverisë. Ne e dimë se i kemi numrat dhe do i bëjmë me deputetët e Republikës së Kosovës,” deklaroi z. Bahtiri.

Pasi u regjistrua si deputet në Kuvend, Halil Thaçi, edhe ai nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, shprehu besimin se forca e tij do të arrijë të formojë qeverinë pa partitë opozitare.

“Po shpresoj që do ta bëjmë edhe pa PDK-në dhe kryeministër do të jetë Kurti dhe kryeparlamentar Glauk Konjufca… Ashtu me vota, 63 vota,” deklaroi ai.

Pasi mbajti takime me partitë politike të pakicave që kanë fituar vende në Kuvend, një ditë më parë kryeministri në detyrë dhe kreu i LVV-së, Albin Kurti, ftoi për takim kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, por ky i fundit përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit për qeverinë e re, duke ia faturuar këtë gjuhës që Lëvizja Vetëvendosje dhe veçanërisht z. Kurti ka përdorur ndaj LDK-së, e cila ka arritur të marrë 20 mandate deputetësh.

Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës konstitutohet në datën 15 prill.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme