Qeveria forcon kontrollin mbi bastet online, çdo transaksion do të monitorohet

Me aktin e fundit të publikuar në Fletoren Zyrtare, qeveria ka vendosur hallkën përmbyllëse të kontrollit financiar për bastet online duke përcaktuar se si do të qarkullojnë, monitorohen dhe raportohen paratë në një sektor që pritet t’i sjellë buxhetit miliona euro të ardhura.
Me sigurimin e formalizimit të qarkullimit financiar, akti parashikon që 100% e transaksioneve kalojnë përmes sistemit bankar ose institucioneve të pagesave, duke ulur hapësirat për ekonomi informale.
Po ashtu akti parashikon rritje të bazës tatimore me raportim mujor të depozitave, tërheqjeve, fitimeve dhe të ardhurave bruto nga loja duke krijuar bazën për kontroll fiskal më të fortë. Rregullimi nënligjor parashikon edhe të ardhura për bankat dhe institucionet e pagesave nga komisionet e transaksioneve, ndërsa parashikohen kosto shtesë për operatorët për integrimin me sistemin shtetëror të monitorimit, rakordimin ditor të fondeve dhe raportimin në kohë reale.
Qeveria ka parashikuar më herët që legalizimi dhe licencimi i basteve sportive online të sjellë rreth 2 miliardë lekë të ardhura shtesë në buxhet, nga tarifat e licencimit dhe taksimi i aktivitetit të operatorëve. Po ashtu, kuadri ligjor parashikon deri në 10 licenca kombëtare, ndërsa në fazën e projektligjit tarifa e licencimit ishte parashikuar në 400 milionë lekë për licencë.
Në këtë kontekst merr rëndësi edhe kërkesa e re që operatorët të raportojnë veçmas pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit të gjitha transaksionet me vlerë 1 milion lekë e sipër.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




