Qeveria miraton vendimin për Forcat e Armatosura dhe zjarrfikësit, Nufi: Shpërblim për ata që ishin në vijën e parë të luftës me zjarret
Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se qeveria ka miratuar vendimin për shpërblimin e efektivëve të Forcave të Armatosura dhe zjarrfikësve të angazhuar në përballimin e situatës së zjarreve në vend.
Sipas ministrit, vendimi autorizon njësitë e pushtetit vendor të japin shpërblime për shërbimet zjarrfikëse në varësi të tyre, ndërsa janë miratuar gjithashtu shpërblime për të gjithë efektivët e Forcave të Armatosura që kanë marrë pjesë në operacionet për shuarjen e zjarreve.
Nufi deklaroi se situata e zjarreve në vend është menaxhuar me sukses, duke theksuar se deri më tani janë shuar mbi 27 vatra masive zjarri në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Ministri shtoi se aktualisht mbetet aktive vetëm vatra e zjarrit në Dajt, ku po punojnë mbi 120 efektivë, ndërsa dy helikopterë vijojnë ndërhyrjen nga ajri për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Ai vlerësoi angazhimin e forcave në terren, duke theksuar se shpërblimi i miratuar është një vlerësim i merituar për punën dhe sakrificën e tyre.
“Shpërblimi për Forcat e Armatosura sot është miratuar vendimi i Këshillit të Ministrave i cili autorizon njësitë e pushtetit vendor që të japin shpërblime për zjarrfikëset që janë pranë tyre dhe ka miratuar shpërblimet për të gjithë forcat e armatosura që janë angazhuar me situatën e zjarreve. Situata tashmë është menaxhuar në mënyrë shumë të mirë. Kemi mbi 27 vatra masive zjarri që janë shuar në Republikën e Shqipërisë ku janë mbi 1380 forca që janë angazhuar në shuarjen e këtyre zjarreve dhe kapacitetet si asnjëherë tjetër kanë qenë operacionale. Mjetet, zjarrfikëset dhe flota e helikopterëve që është në dispozicion për shuarjen e këtyre zjarreve janë mbi 90 mjete aktive, mbi 5 helikopter që janë aktiv. Deri tani fal koordinimit shumë të mirë dhe përgatitjes janë shuar vatra zjarri. Aktualisht kemi një situatë zjarri në Dajt dhe janë mbi 120 forcë që po punojnë për shuarjen e zjarrit, janë dy helikopter që po zhvillojnë shuarjen e zjarrit nga ajri. Besoj dhe jam i bindur që ky shpërblim do shkojë në vendin e duhur dhe është i merituar për njerëzit e punës dhe janë në vijën e parë të frontit dhe garantojnë që situata të jetë e menaxhuar”, u shpreh ministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




