Qeveria në detyrë e Kosovës kundërshton vendimin e Gjykatës Supreme për fiskalizimin, paralajmëron veprime ligjore

Qeveria në detyrë e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme, e cila ka shfuqizuar Udhëzimin Administrativ që rregullon përdorimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve dhe softuerëve për fiskalizim. Në një komunikatë për media, Qeveria shprehu shqetësimin dhe kundërshtimin e saj, duke e cilësuar vendimin si “të pabazuar në ligj dhe me interpretim të njëanshëm të dispozitave ligjore”.
Qeveria kundërshton arsyetimin e Gjykatës se udhëzimi ishte miratuar nga një qeveri dhe ministër në detyrë pa kompetencë. Sipas Qeverisë, neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk ndalon nxjerrjen e akteve nënligjore nga një qeveri në detyrë, por përjashton vetëm veprimet që lidhen me marrëveshje ndërkombëtare, projektligje të reja, strategji dhe dokumente konceptuale.
Për më tepër, Qeveria sqaron se procedura për hartimin e këtij udhëzimi kishte nisur në nëntor të vitit 2024, periudhë gjatë së cilës ajo gëzonte mandat të plotë kushtetues dhe ligjor. Ky fakt, sipas saj, i jep aktit “legjitimitet të plotë procedural dhe substancial”.
Komunikata për shtyp thekson se “vendimi i Gjykatës është i brishtë edhe në aspektin logjik dhe kushtetues, sepse njëkohësisht njeh ekzistencën e Qeverisë në detyrë, por mohon të drejtën e saj për të ushtruar një kompetencë që nuk është e ndaluar me ligj”.
Lidhur me pretendimin për konflikt funksional mes ministrit në detyrë dhe statusit të deputetit, Qeveria iu referua aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas këtij aktgjykimi, Kuvendi i ri ende nuk është funksional për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit dhe Nënkryetarëve. Prandaj, Qeveria argumenton se nuk ekziston ende konflikt funksional, pasi përbërja e re e Kuvendit nuk ka hyrë në funksion kushtetues.
Në përmbyllje, Qeveria riafirmon përkushtimin e saj për respektimin e rendit kushtetues dhe ligjor, si dhe funksionimin e pandërprerë të institucioneve të shtetit. Komunikata paralajmëron se Qeveria do të shfrytëzojë të gjitha mjetet juridike për “rikthimin e ligjshmërisë”, duke nënvizuar se “vendimet e gjykatave duhet të respektojnë frymën e ligjit dhe të mbështeten në standarde të qarta juridike, jo në interpretime të njëanshme apo të motivuara politikisht”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




