QSUNT pajiset me mikroskopin digjital, Koçiu: Teknologjia më e avancuar për kirurgjinë e trurit e të shtyllës kurrizore

Sociale | 1 vit më parë

Shërbimi i Neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë është pajisur me mikroskopin digjital të teknologjisë së fundit “Aesculap Aeos”, duke zëvendësuar aparaturën e mëparshme dhe duke shënuar një tjetër hap përpara në modernizimin e shërbimeve spitalore publike.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, vizitoi ambientet e këtij shërbimi pranë QSUNT, ku u njoh nga afër me funksionalitetin dhe përfitimet që sjell pajisja e re, si për pacientët ashtu edhe për mjekët neurokirurgë.

Koçiu theksoi se mikroskopi i ri rrit ndjeshëm sigurinë dhe efikasitetin e ndërhyrjeve, duke kontribuar edhe në procesin e edukimit të vazhduar për mjekët e rinj, të cilët mund të ndjekin operacionet në kohë reale përmes transmetimit në monitor.

“Me këtë mikroskop të teknologjisë së fundit , ndërhyrjet bëhen më precize, më të sakta dhe shmangim gjithmonë komplikacionet që vijnë nga ndërhyrjet kirurgjikale. Ndaj ky investim i Qeverisë Shqiptare rrit sigurinë dhe efikasitetin e ndërhyrjeve për pacientët, duke shërbyer njëkohësisht edhe si mjet i vlefshëm trajnimi për mjekët e rinj,” tha ministrja.

Ministrja theksoi se vetëm gjatë vitit 2024, në këtë shërbim u kryen rreth 1700 ndërhyrje, ku rreth 30% e tyre kërkonin përdorimin e mikroskopit.

“Më vjen mirë për diçka që kishim mundësi ta ofrojmë, një teknologji të tillë të fjalës së fundit që shërben edhe në ndërhyre të trurit. Statistikat e vitit 2024 ishin pothuajse 1700 ndërhyrje të kryera në shërbimin e neurokirurgjisë nga të cilat 600 me mikroskopin optik që ishte më parë,” tha ministrja.

Neurokirurgu Artur Xhumari sqaroi se tashmë nuk punohet më me mikroskopin e zakonshëm që ka qenë mekanik dhe optik, por mikroskopi i ri është robotik dhe digjital dhe ky është një hap i madh.

Sipas Dr. Xhumarit, “mjekët punojnë dhe me syze 3D duke para përmasat reale të trupit. Rreth 25% është kërkesa që kemi nevojë për mikroskop gjatë operacionit.”

“Kanë ndriçimin me infrared dhe infraviolet që na lejon të shohim qoftë arteriet, qoftë ndonjë tumor të vogël që mund të kemi. Kështu që heqim më shumë tumor dhe jetëgjatësia bëhet më e madhe,” u shpreh ai.

Drejtori i përgjithshëm i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, Florenc Spaho u shpreh: “Risi është që edhe me inxhinierët që kemi folur që na kanë asistuar nga jashtë, kjo është e vetmja pajisje mikroskop në Ballkanin Perëndimor që e ka vetëm Tirana në shërbimin e kirurgjisë.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme