QSUT, nis puna në Urgjencë. Shërbimi rikthehet me kapacitet të plotë

Sociale | 2 vite më parë

Pas më shumë se tre muajsh nga rënia e zjarrit, Urgjenca polivalente e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka filluar punë me kapacitet të plotë. 

Testimet finale për funksionimin e aparaturave kanë rezultuar të suksesshme.

Drejt Urgjencës, autoambulancat ishin më të shpeshta. Të sëmurët vinin nga të gjitha anët e Shqipërisë por kishte edhe nga ata që vinin me automjete familjare për të kërkuar ndihmë.

Mjekët e Urgjencës thonë se tashmë urgjenca do të vijojë dhënien e shërbimeve me kapacitet të plotë.

“Jemi duke mirëpritur të gjitha qytetarët që kanë nevojë për ndihmë. Urgjencat kardiologjike, që deri dje priteshin nga kolegët tanë, aktualisht vijnë këtu nga rrethet prej nesh. Fluks ka pasur, kemi qenë entuziastë, por ka qenë një fluks i menaxhueshëm,” Besiana Hysi, përgjegjëse e sektorit të observimit në QSUNT.

Nga kjo e mërkurë pacientët mund të kryejnë edhe procedurën e koronarografisë në Shërbimin e Hemodinamikës, e cila deri më tani ishte ndarë mes Qendrës Spitalore rajonale “Shefqet Ndroqi”, Spitalit rajonal Memorial në Fier dhe Spitalit rajonal të Shkodrës.

Për riparimin e dëmit në godinën A2 të QSUT, Ministria e Shëndetësisë, përmes Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, akordoi fondin me vlerë 27.824.043 lekë.

Punimet në ndërtesë dhe ato në instalimin e rrjetit të ri elektrik u kryen nga e njëjta firmë që kreu punimet në këtë spital.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme