Rama kritika ndaj një tjetër gjyqtari: Vendim kundër hapjes së kalimit mes pallateve, nuk heshtim para shpërdorimit të detyrës

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar një tjetër gjyqtar për dhënie vendimesh të jashtëligjshme për ndërtime pa leje.
Me një postim në rrjetin social Facebook, kryeministri bëri me dije se gjykatësi, të cilin e identifikoi vetëm me emrin Ligoraq, ka shpërdoruar detyrën duke marrë vendim për moslejimin e hapjes së një kalimit të mbyllur mes pallateve, në vend të të cilit është ndërtuar një biznes.
“Gjykatësi Ligoraq vendosi në pak minuta pa praninë e palëve, që të mos hapet kalimi i mbyllur nga kjo ngrehinë pa leje me kupolë xhami mes dy pallateve, nën të cilën shtrihet një dyqan ku bëhet tregti në kurriz të komunitetit.
Gjykatësi Ligoraq nuk e ka parë të udhës që të mbajë anën e komunitetit të zënë në kurth nga ky ndërtim pa leje dhe me siguri as nuk e ka menduar që mos o Zot, në rast zjarri ky dyqan kthehet në barrikadë vrastare, e pakapërcyeshme edhe për banorët edhe për zjarrfikësit”, shkruan Rama, ndërsa paralajmëroi se ky gjyqtar do i bashkohet gjyqtarëve të kritikuar më herët prej tij në dosjen që Ministria e Drejtësisë do u përcjellë organeve të kontrollit e të vetëqeverisjes së gjyqësorit.
“Ne do të kërkojmë që ankimimeve në këto organe t’u bashkohen edhe qytetarët e dëmtuar nga këto masa sigurie absurde, në dëm të komunitetit, mjedisit dhe rendit ligjor”, shtoi ai.
Rama ka hedhur poshtë zërat kritikë se po ushtron presion mbi gjyqësorin, duke theksuar se do të mbrojë gjithmonë interesat e qytetarëve shqiptarë dhe nuk do të heshtë ndaj rasteve të shpërdorimit të detyrës.
“Atyre që komentojnë apo bëjnë deklarata publike për gjasme presion nga ana ime mbi gjyqësorin, u them se për të mbrojtur interesin publik, të drejtën e komunitetit dhe të drejtat e liritë e njerëzve nga shpërdoruesit e detyrës në radhët e gjyqësorit, ne as do të heshtim më, as do të ndalemi së adresuari rastet e shpërdorimit në organet përkatëse të cilat Kushtetuta e ligji i ngarkojnë edhe me mbrojtjen e interesave të popullit e të shtetit, nga prokurorë e gjykatës të paaftë, të papërgjegjshëm, të dyja bashkë apo edhe më keq, pa atdhe fare”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




