Rama: Marrëdhëniet me Francën kanë hyrë në një fazë të re! Macron: Gjithmonë në krah të Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama priti presidentin francez, Emmanuel Macron në kuadër të vizitës së tij zyrtare që po mban në vendin tonë.
Në konferencën për shtyp, Rama vlerësoi marrëdhëniet me Francës duke u shprehur se tashmë kanë hyrë në një fazë të re.
“Është një nder i veçantë, por edhe një ndjesi e jashtëzakonshme mbarësie që në një kohë kaq të shkurtër presidenti i Francës riviziton Shqipërinë dhe qëndron për një tjetër vizitë bilaterale, gjë që na jep shumë krenari por dhe shumë mirënjohje për këtë shtysë të fortë nga ana e presidentit dhe republikës së Francës në marrëdhëniet me Shqipërinë që kanë hyrë në një fazë të re dhe të panjohur më parë. Kemi bërë një bilanc të punëve të realizuara pas vizitës së parë historike të presidentit që ishte i pari kryetar shteti i Francës që viziton Shqipërinë dhe kemi vazhduar të nënshkruajmë marrëveshje të tjera për të thelluar bashkëpunimin në fushat e paracaktuara edhe në marrëveshjen kuadër midis dy qeverive”, tha Rama.
Në fjalën e tij, presidenti francez theksoi se Franca do të mbështesë Shqipërinë drejt rrugëtimit për t’u bashkuar familjes së madhe, Bashkimit Europian. Macron vlerësoi se Shqipëria ka bërë avancime të mëdha.
“Është një lumturi e madhe të jem prapë këtu, në Shqipëri. Bashkëpunimi universitar po bëhet realitet. Në fushën ekonomike projekti prioritar menaxhimi I ujit, turizmi , bujqësia. Kjo për të thënë se deklaratat e mëparshme u bënë realitet. Kemi avancuar në temat e mbrojtjes, do vijojmë në të gjitha fushat me kapacitet të mirë. Radarët e mbikëqyrjes, kemi vijuar bashkëpunim dhe për më shumë aktorë francezë, prania jonë është në të gjitha rajonin. Franca do jetë krah jush për kapacitet financimi. Përtej kësaj marrëdhënie dy palëshe, duam të shkojmë më tej. Vendi i Shqipërisë në BE, është i rëndësishëm Shqipëria ka bërë avancime të mëdha, kam besim te ajo që do bëni, jam i lumtur për mandatin .Udha e Shqipërisë drejt BE është shumë e qartë. Franca do jetë krah jush për t ju shoqëruar në këto reforma”, u shpreh presidenti i Francës.

Më herët në Kryeministri Kryeministri Edi Rama bashkë me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron shkëmbyen marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e energjisë, si edhe nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim. Memorandum i cili përfshin krijimin e një projekti gjithëpërfshirës për turizmin e qëndrueshëm në rajonin e Korçës.
Një ditë më parë (16 maj), Shqipëria dhe Franca nënshkruan edhe një deklaratë bashkëpunimi për zbatimin e Planit të Veprimit për Inovacionin, me fokus te inteligjenca artificiale, digjitalizimi dhe energjia e gjelbër.
Kjo është vizita e dytë zyrtare e presidentit francez në pak kohë, ndërsa e fundit u shënuar në vjeshtën e 2023-shit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




