Rama me të rinjtë e Tiranës: Më 11 maj është takimi me historinë. Nëpërmjet PS mbështesni Shqipërinë, anëtare të BE

Zgjedhje 2025 | 2 vite më parë

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetar i PS-së, ka vijuar në Tiranë turin e takimeve elektorale në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit 2025, duke u fokusuar tek të rinjtë e njësive 1, 2 dhe 3 në kryeqytet.

Që në fillim të fjalës së tij, Rama ka theksuar kontrastin mes qeverisjes së PS-së dhe opozitës, duke evidentuar rolin e socialistëve në ndërtimin dhe ndryshimet në vend.

Sipas tij, gjithmonë kur PS ka qeverisur, Shqipëria ka qenë më mirë nga sa ishte më pare dhe se forcat e tjera politike opozitare kanë qenë aty “për ta shkatërruar vendin”.

Rama bëri edhe një retrospektivë të zhvillimeve politike në vend, duke sjellë në vëmendje zgjedhjet e vitit 1992, në të cilat, sipas tij, “populli votoi për ndryshim, për t’i dhënë fund diktaturës dhe për të hapur një kapitull të ri”.

“Kur PS ka marrë në dorë qeverisjen, vendi ka qenë gjithmonë më mirë nga se ishte. PS ndërton Shqipërinë, ndërsa të tjerët janë këtu për të shkatërruar. Më 1992, populli u bashkua dhe votoi PD-në. Kjo forcë politike u votua edhe nga ata që nuk ishin me Partinë Demokratike, sepse më ‘92 u votua PD, pasi ishte partia që ishte në kohën dhe vendin e duhur. Shqiptarët duhet të vulosnin mbylljen e një kapitulli të gjatë, duke u ndarë nga një sistem diktatorial. Kjo histori ka rëndësi edhe sot. Më 11 maj ka një moment historik. Më 11 maj, zgjedhja është takim me historinë. Shqiptarët, nëpërmjet PS-së, duhet të mbështesin Shqipërinë, anëtare të BE-së.”, tha Rama gjatë takimit me të rinjtë.

Kryeministri, në fjalën e tij, tha se Mali i Zi,  Serbia dhe Maqedonia e Veriut, i kanë filluar negociatat para disa vitesh dhe akoma s’janë anëtarësuar në BE.

“Shqipëria duhet të mbyll negociatat me BE deri në 2027. Këto negociata, deri në 2027, janë negociatat më të shpejta në BE pas Finlandës, që i ka bërë për një vit, por ajo është Finlanda dhe nuk kemi ça diskutojmë. Disa thonë ka disa vite Rama që na thonë do na çoj në BE. Ju do të duhet tu thoni: po Mali i Zi që i ka filluar në 2012, pse nuk është në BE? Meqenëse qenka Rama që e paska fajin. Po Maqedonia e Veriut, po Serbia pse nuk është në BE?”, theksoi Rama.

Rama ftoi të rinjtë të kërkojnë në internet mbi ngjarjet kryesore që kanë karakterizuar qeverisjen e PD.

“Shumë nga shokët dhe shoqet tuaja nuk kanë parë çfarë na kanë parë sytë ne. Nuk e dinë se nga është nisur ky qytet për të ardhur këtu ku është sot. Nuk e kanë jetuar historinë e viteve ’90, nuk e kanë parë Shqipërinë të përfundojë në humnerë, rrugët të mbushen me njerëz të armatosur. Nuk kanë shkuar ndonjëherë të flenë në zhurmën e kallashnikovëve. Nuk kanë parë se çfarë është të hapësh televizorin çdo mbrëmje dhe të shohësh sa vetë u vranë rrugëve. Të shikosh prindërit e tu që i kanë humbur të gjitha”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se ka shumë argumente mbrapa përgjigjes përse duhet votuar PS, ndërsa kujtoi disa data si ngjarjet e 1997 apo vrasjen e 4 protestuesve në bulevard gjatë qeverisjes së PD-së.

“Shkruani në Google: PD 1997, PD 1998, PD 2008, PD 2011. Janë 4 datat, që mos të zgjatem shumë. 21 janar PD, 14 shtator 1998. Futuni në Youtube për qejf dhe shikoni se ndoshta nuk i dini të gjitha që të kuptoni se nuk ka fare diskutim pse duhet votuar PS”, shtoi Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme