Rama: Në Durrës, Mbrojtja Civile dhe FA në terren për menaxhimin e situatës

Reshjet e dendura dhe kushtet e vështira atmosferike që kanë përfshirë disa zona të Shqipërisë kanë vënë në gatishmëri të plotë strukturat shtetërore dhe shërbimet publike.
Në një reagim në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama ka bërë publike punën që po kryhet nga strukturat përkatëse, duke theksuar se në Durrës, strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura janë në gatishmëri për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive.
Kryeministri ka theksuar se i gjithë aparati shtetëror mbetet në gatishmëri për të përballuar pasojat e motit të keq dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
“Në Durrës, strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura në gatishmëri për përballimin e situatës”- shkruan Rama.
Pak më herët, kreu i qeverisë reagoi edhe ndaj akuzave të opozitës lidhur me përmbytjet e shkaktuara nga moti i keq në disa qarqe të vendit.
Rama kujtoi se reshje të dendura kanë shkaktuar përmbytje edhe në vende të tjera të rajonit si Itali, Greqi, Mal të Zi dhe Kroaci, por sipas tij, opozitat në ato vende nuk fajësojnë qeveritë e tyre.
“Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë dhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë… Çudi e madhe opozitat andej, po të paktën të fajësonin qeveritë e tyre, po hiç, asnjë llaf. S’e kuptojnë që aleanca me shiun të çon në fitore?!”, u shpreh Rama në reagimin e tij në rrjete sociale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.













