Rama nesër mbledhje me kabinetin dhe grupin e PS, në fokus kadastra, reforma territoriale dhe strategjia e komunikimit

Kryeministri Edi Rama zhvillon të shtunën (28 mars) në Pallatin e Kongreseve, një takim të zgjeruar mes kryesisë dhe grupit parlamentar, ku pas fjalës së Taulant Ballës, pritet edhe një adresim i kreut të partisë.
Rendi i ditës parashikon një raportim të drejtueses së kadastrës, Lorena Goxhobelli, raportim i bashkëkryetarit të komisionit të posaçëm të Reformës Administrative Territoriale, Arbjan Mazniku, si dhe prezantimi i strategjisë së komunikimit, Erjona Ismaili.
Seanca ka parashikuar që pas raportimeve të ketë seancë pyetjesh në lidhje me problematikat e konstatuara në terren.
Gjatë javës Kryeministri Edi Rama ka vijuar takimet në Vilën 30, për analizën e detajuar të punës të dikastereve. Pas kryeministrit Rama mbërritën për të qenë pjesë e tryezës së analizës zv/kryeministrja Albana Koçiu, kreu i AKSHI-t Igli Tafa, ministrat Demo dhe Ismaili.
Në raportimin e ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në fokus janë situatat ekonomike në vend, problematikat në tregun e hidrokarbureve, e lidhur kjo edhe me faktin nëse Bordi i Transparencës do të duhet të dalë me vendime.
Më herët, kryeministri Edi Rama pati një takim në zyrën e tij me zëvendësen, Albana Koçiu, kreun e Grupit Parlamentar Taulant Balla, ministrat Demo dhe Ismaili. Mësohet se takimi kishte në fokus qasjen e një komunikimi më intensiv me qytetarët, në lidhje me programin qeverisës.
RTSH
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




