Rama nis sezonin e pestë të podcastit “Flasim”: Bashkitë marrin menaxhimin e plazheve. Do ngremë Universitet të Mjekësisë në Fier

Kryeministri Edi Rama ka çelur sezonin e pestë të podcastit të tij “Flasim”, ku në episodin e parë ka ndarë shënimet e javës dhe ka shpallur disa nga prioritetet kryesore të qeverisë për mandatin e katërt.
Rama theksoi se ky mandat do të fokusohet fuqishëm në përmirësimin e hapësirave publike, zonave turistike, parqeve kombëtare dhe në mbrojtjen e mjedisit.
“Mandati i 4 ka nisur dhe do të bitiset me një përkushtim të posaçëm për hapësirat publike, zonat turistike, parqet kombëtare dhe mjedisin. Kemi ndryshuar bazën ligjore të betejës kundër antiligjit në ndërtim për t’i kthyer hapësira publike komuniteteve dhe të gjitha llojet e hapësirave të tjera nga zaptuesit për të mbrojtur pasuritë e vendit nga zaptuesit dhe grabitësit. Ky nuk është aksion, por misioni për t’u përmbushur pasi ka nisur vite e vite më parë dhe vit pas viti, fenomeni është tkurrur por nuk është shkulur. Me forcë të hekurt ligjore deri në fund“, tha Rama.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar menaxhimit të plazheve, sidomos në zonat si Ksamil, Himarë, Dhërmi dhe Velipojë, ku janë evidentuar problematika serioze me keqmenaxhimin privat, çmime të pajustifikueshme dhe cilësi të ulët të shërbimit.
Në Ksamil, Himarë, Dhërmi dhe Velipojë janë vërejtur problematikat më më të mëdha për keqmenaxhimin privat të plazheve me çmime të pajustifikueshme në raport me cilësinë e dobët të shërbimit. Bashkitë do të marrin në menaxhim plazhet. Beach-baret do reduktohen në maksimum, muzika jashtë mureve të lokalit në zonat e banuara do të ndalohet. Plazhi historik i Durrësit ka hyrë në një transformim rrënjësor me zgjerimin e ndjeshëm të brezit të rërës dhe një brez të ri gjelbërimi. Do punojmë për një turizëm që sjellë cilësi, respekton qytetarët dhe e bën vendin në një destinacion të dëshiruar evropian jo vetëm për bukuritë e natyrës por edhe për shërbimin”, tha Rama.
Në fokus është edhe shëndetësia, ku sipas Ramës, sistemi po hyn në një fazë transformimi me përfshirjen e Inteligjencës Artificiale. Një tjetër zhvillim i rëndësishëm, tha Rama, është plani për ndërtimin e një universiteti të ri të mjekësisë në Fier.
“Shëndetësia shqiture po hyn në një etapë transformimi dhe Inteligjenca Artificiale do të hyjë fuqishëm falë partneritetit strategjik me Spitalin “San Raffaele” të Milanos si model suksesi në menaxhim dhe fuqizimin e kapitali njerëzor. Në Fier duam të sjellim një universiteti të ri të mjekësisë dhe po punojmë me një grup ndërkombëtar dhe do i bashkohet praktikës së mirë të Spitalit Memorial”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




