Rama: Njeri i vlerave, që e admiruan edhe ata që të kallën në burg

Aktualitet | 12 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e lamtumirës për ish-kryeministrin Fatos Nano, duke përkujtuar me emocione të thella jetën dhe veprën e tij.

Nano, sipas Ramës, nuk ishte thjesht një politikan, por një figurë që la gjurmë të thella në historinë e vendit dhe në kujtesën e shqiptarëve.

“Sa do të doja, i dashur Fatos, të uleshim sonte në një nga ato darkat tona të rralla të viteve të fundit, plot me shijen e ajrit të pastruar mes nesh, dhe të kalonim deri vonë në atë revistën tonë të ngjarjeve dhe personazheve të ndryshëm, të gjithë ato që i shkruam për ty deri sa ike përgjithmonë.

Sa të paskan dashur dhe admiruar edhe ata që nuk kanë guxim për të thënë gjë tjetër. Edhe ata që të kallën në burg dhe shpërndanë mbi ty gjithë të zezat e gjuhës shqipe, vetëm ta shihje sa bukur kanë qëndisur fjalët e admiratës së tyre.

Në vend që të qeshja ca me ty sonte, mua më duhet të rendis fjalët e lamtumirës, të cilat nuk i imagjinova dot. Mendova në atë çast vetëm gruan tënde, Xhoanën, që vazhdonte të rrinte pranë kokës sate si një roje besnike e gjumit tënd të pambarimtë. Asfare nuk të mendova ty të shtrirë në arkëmort për të ikur nga kjo jetë, që e deshe dhe e jetove, duke ia marrë sundimeve të natës dhe duke pirë gotat e fatit. I japim lamtumirën themeluesit të partisë sonë”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme