Rama në Vatikan, takim me Papa Leonin XIV dhe homazhe mbi varrin e Papa Françeskut

Aktualitet | 9 muaj më parë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Selinë e Shenjtë, ku u prit në audiencë të veçantë nga Papa Leoni XIV. Vizita u shënua nga diskutime të rëndësishme diplomatike, por edhe nga momente emocionale gjatë nderimit të paraardhësit të tij, Papa Françeskut.

Takimi mes Kryeministrit dhe Atit të Shenjtë u zhvillua në Pallatin Apostolik. Më pas, axhenda vijoi në Sekretarinë e Shtetit, ku Rama u takua me dy figurat kyçe të diplomacisë së Vatikanit: Sekretarin e Shtetit, Kardinalin Pietro Parolin, dhe Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet, Imzot Paul Richard Gallagher.

Sipas njoftimit zyrtar nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, “bisedimet u zhvilluan në një frymë të përzemërt”. Në fokus ishin marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy shteteve, si dhe tema që prekin bashkëpunimin mes komunitetit kishtar dhe atij civil.

Një vëmendje të veçantë mori situata gjeopolitike. Palët diskutuan mbi zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, proces të cilin Selia e Shenjtë e ka mbështetur vazhdimisht.

“Në bisedimet e përzemërta u vu në dukje marrëdhënia e mirë ekzistuese ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë dhe u trajtuan tema me interes të përbashkët që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet bashkësisë kishtare dhe asaj civile. Ndër temat në qendër të bisedimeve edhe çështjet kryesore rajonale, “përfshirë situatën në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian”, thuhet në një njoftim të Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.

Homazhe për “mikun e shqiptarëve”

Pjesë e vizitës ishte edhe ndalesa prekëse pranë varrit të Papa Françeskut, i cili u nda nga jeta më 21 prill 2025. I shoqëruar nga bashkëshortja Linda dhe djali Zaho, Kryeministri vendosi buqeta me trëndafila të bardhë në vendprehjen e ish-kreut të Kishës Katolike.

Rama ndau emocionet e këtij momenti përmes një mesazhi publik, duke e cilësuar Françeskun si një figurë që mbetet thellë në kujtesën e kombit shqiptar.

“Homazhi në varrin e Papa Françeskut, mik i paharruar i Shqipërisë dhe i familjes sonë, që nuk harronte kurrë të lutej për popullin tonë e të na dërgonte mesazhet e tij të miqësisë, ishte një çast i veçantë i vizitës në Selinë e Shenjtë”, u shpreh Rama pas ceremonisë.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme