Rama: PS, karroca më e shpejtë për të çuar përpara vendin. 11 maji, kyç për integrimin në BE

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka zhvilluar takimin përmbyllës të fushatës elektorale në qytetin e Kavajës ku ka theksuar se ky qytet duhet të votojë më 11 maj për t’i dhënë mundësinë Shqipërisë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Sipas kreut të Partisë Socialiste, Shqipëria duhet të zgjedhë kalin që tërheq më shpejt karrocën e punëve të vendit.
“Ne nuk shkojmë në zgjedhje për të bërë krushqi. Ne shkojmë në zgjedhje për të zgjedhur kalin më të fortë që e tërheq më shpejt karrocën e punëve tona. Tani si mund të zgjedhësh një gërmuq vetëm se është kali i nahijes tate.
Çfarë është ky muhabet? Si mund të vazhdohet kështu? Se ma tha bukur një zonjë; ore na kanë thënë që gjithë jetën duhet të kujdesemi për pleqtë, çfarë është kjo punë të zgjedhim një plak, të kujdesemi për ne. Kështu është”, u shpreh Rama.
Rama vuri në dukje se ky është momenti historik që në 11 maj Shqipëria të vendosë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Kemi në dorë një mundësi historike. Fati e ka dashur që gjithë puna që kemi bërë duke i rënë derës së Bashkimit Evropian. Ne bjer e dera mbyll, tani ata e kanë hapur jo për ne por për interesin e tyre. BE është shtëpia e pasurve. Të pasurit nuk e hapin derën gjatë gjithë kohës. Ata e hapin derën jo kur i bie ti derës, por ata aty brenda kanë interes të të fusin ty brenda. Ky është momenti që janë përputhur këto interesa. Na kanë dhënë 2 vjet kohë deri në 2027-n. Por të pasurit i harrojnë shpejt ato që thonë se i del një interes tjetër më i madh. Kështu që ne duhet të vrapojmë që të mbyllim negociatat brenda 2027-s”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




