Rama publikon pamjet e zjarrvënies së qëllimshme: Këtë vepër do duhet ta barazojmë me atë të vrasjes në Kodin Penal 

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryeministri Edi Rama ka bërë publike pamje të një rasti zjarrvënieje të qëllimshme të regjistruara nga droni Bajraktar i Forcës Ajrore. Sipas kryeministrit, në video shihet qartë momenti kur një person ndez zjarr me qëllim, akt të cilin ai e cilëson si “tradhti ndaj tokës sonë dhe të ardhmes së fëmijëve tanë”.

Rama paralajmëroi se rastet për zjarrvënie duhet të ashpërsohen deri në nivelin e dënimeve për vrasje, duke propozuar që ky ndryshim të reflektohet në Kodin Penal.

“Të ndezësh një zjarr me qëllim nuk është vetëm krim, por është tradhti ndaj tokës sonë dhe të ardhmes së fëmijëve tanë. Ja dhe pamjet e një zjarrvënieje të qëllimshme të evidentuar sot nga dronët e Forcës Ajrore. Policia e Shtetit është në terren për të çuar përpara drejtësisë këdo që luan me flakët mbi pasurinë e përbashkët. Ndërkohë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, zjarrvënien do të duhet ta barazojmë me vrasjen në Kodin Penal”, shkruan Rama.

Autoritetet kanë nisur procedurat për identifikimin dhe arrestimin e tij e personit që akuzohet për zjarrëvënie të qëllimshme. Forcat e Armatosura dhe strukturat e emergjencave civile, po vijon punën në terren për shuarjen e zjarreve dhe ndalimin e autorëve.

Ky reagim i Ramës vjen në një kohë kur vendi po përballet me dhjetëra vatra zjarri çdo ditë, ku një pjesë e tyre dyshohet të jenë të qëllimshme, duke shkaktuar dëme të mëdha mjedisore, ekonomike dhe kërcënim për jetën e qytetarëve.

Aktualisht në të gjithë vendin janë 14 vatra aktive zjarri, ku situata më problematike paraqitet në Finiq dhe Berat, ku janë kryer edhe evakuime të banorëve për të garantuar sigurinë e tyre.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme