Rama sërish në Bashkinë e Vlorës, ndjek nga afër aksionin për lirimin e hapësirave publike

Pak ditë pas vizitës në Bashkinë e Vlorës dhe dorëheqjeve të 21 drejtorëve nga ky institucion, Kryeministri Edi Rama e ka nisur javën me një tjetër vizitë në qytetin bregdetar.
Rama ka mbërritur mëngjesin e kësaj të hëne (7 korrik) në bashkinë e Vlorës ku sikurse mësohet nga burime, po zhvillon një tjetër mbledhje me dyer të mbyllura me kryebashkiakun Ermal Dredha dhe deputetët e rinj të qarkut të Vlorës.
Gjatë mbledhjes joformale, kreu i qeverisë, mësohet se ka dhënë urdhër të prerë se asnjë prej drejtorëve nuk duhet të jetë më në punë dhe se ata drejtorë të cilët nuk janë dorëhequr, duhet të shkarkohen.
Sipas informacioneve, mësohet gjithashtu se Kryeministri do të ndjekë nga afër aksionin për lirimin e hapësirave publike, problem ky i ngritur jo pak herë gjatë javës që lamë pas nga Kryeministri.
Në këtë takim, kryeministri shoqërohej nga drejtuesi politik i PS për qarkun Vlorë, Bledi Çuçi dhe Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.
Në një mbledhje me dyer të mbyllura të zhvilluar në Bashkinë e Vlorës katër ditë më parë, Kryeministri Edi Rama shfaqi rezerva për menaxhimin e qytetit të Vlorës nga Bashkia, ndërsa kërkoi ristrukturim total të këtij institucioni, duke përfshirë të gjitha drejtoritë. Ai kërkoi dorëheqjet e drejtorëve të drejtorive me varësi nga qendra, kërkesë që më pas u pasua me dorëheqjen e 21 drejtorëve.
Një ditë pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike nga zaptimet abuzive, në qytetin bregdetar të Vlorës nisi aksioni për lirimin e tyre. Po ashtu, u ngrit dhe një Task-Forcë për kryerjen e kontrolleve në të gjithë territorin e kësaj bashkie.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




