Mërtiri: Sali Berisha humbi zgjedhjet thotë raporti- Kume: Raporti nuk thotë se ka patur shitblerje vote

Aktualitet | 1 vit më parë

Në emisionin ‘Tema e Ditës’ në RTSH1 të gazetarit Arbër Hitaj është diskutuar mbi raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume theksoi se raporti nuk ka devijuar nga raporti paraprak dhe se ky raport sipas tij nuk thotë se ka pasur shit-blerje vote.

“Shitblerja e votës nuk është thënë në raport por edhe në zgjedhjet e mëparshme nuk kanë qenë e deklaruar prej tyre si një fenomen i vëzhguar por më shumë i dëgjuar, por në raportin e fundit e kanë thënë si një nga problemet që duhet trajtuar në kuadër të rekomandimeve të tyre”, u shpreh Kume.

Nga ana tjetër, analisti Ergys Mërtiri theksoi dimensionin politik të raportit dhe bastin e ngritur nga kreu i Partisë Sali Berisha.

“Raporti është i ngjashëm me raportet e mëparshme. Nuk është se tregon ndonjë gjë më shumë. Mbi raportin është vendosur një bast politik i rëndësishëm. Një bast të cilin e ka ngritur z. Berisha. Sipas këtij basti, duhet që ky raport të rrëzojë një nga dy versionet; ose të rrëzojë Edi Ramën ose të rrëzojë dhe çojë në shtëpi Sali Berishën. Pse duhet bërë kjo? Sepse Berisha thotë se raporti ka treguar se kemi të bëjmë me një farsë politike që do thotë; zgjedhjet nuk duhet të njihen. Nëse zgjedhjet nuk njihen duhet të shkojë në shtëpi Edi Rama. Nëse raporti i njeh zgjedhjet dhe evidenton problematikat, kjo pastaj tregon që zgjedhjet ishin të pranueshme dhe duhet të shkojë në shtëpi Sali Berisha sepse Berisha e ka në statut që ‘nëse humbet zgjedhjet ai duhet të largohet”, theksoi Mërtiri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme