Real Madrid hyn në lojë për Bastonin, Interi kërkon 70 milionë euro

Klubi italian ka të njëjtat pretendime financiare si ndaj Barcelonës. Fjalën e fundit pritet ta thotë trajneri Jose Mourinho.
Përsëri një erë spanjolle fryn drejt Milanos dhe ngacmon veshët e Alessandro Bastoni-t. Nëse 3 muaj më parë vinte nga Barcelona, këtë herë vjen nga Madridi, ku Reali po mendon seriozisht për mbrojtësin e Interit.
Dy klubet kanë pasur së fundi një dialog për transferimin e Denzel Dumfries nëpërmjet pagesës së klauzolës 20 milionë euro. Florentino Perez ka drekuar me Beppe Marotta-n dhe ish-kampionë të klubit zikaltër. Në biseda është folur edhe për Bastonin, i cili ka kontratë me zikaltrit deri në 2028-ën dhe pëlqehet nga “Los Blancos”. Interi e vlerëson lojtarin jo më pak se 70 milionë euro. E njëjta shifër që është kërkuar edhe nga Barcelona pak kohë më parë.
Mbrojtësi mëngjarash konsiderohet një aset i rëndësishëm për Interin dhe zëvendësimi i tij nuk është i lehtë. Megjithatë, klubi italian mund të privohet prej tij për shifrën e duhur, që më pas të ndërhyjë në merkato me një tjetër buxhet. Shitja e mundshme për 70 milionë euro do të ndryshonte tërësisht planet e Interit në merkaton e verës.
Fjalën e fundit do ta thotë Jose Mourinho, që ka siguruar tashmë Cucurella, Konate, Bernardo Silva dhe Dumfries. Bastoni është një profil shumë i mirë për Realin, për eksperiencën në nivel ndërkombëtar dhe përshtatjen në skemat e lojës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




